Kur na ndajnë më pak se dy orë nga protesta e opozitës, policia ka marrë masa të shumta në të gjitha hyrjet dhe daljet e qytetit. Në hyrje të rrugës së Elbasanit një makinë policie bën kontrollin e pothuajse të gjitha mjeteve dhe nuk lejon kalimin e autobusëve dhe urbanëve.
Në videon e mëposhtme të Faxweb, shihet sesi policia ka ndaluar dhe disa furgona mallrash, të cilët nuk janë lejuar që të hyjnë në qytet nga rruga kryesore. Kontrollet bëhen me qëllim ndalimin e protestuesve të hyjnë me mjete në kryeqytet.
Kujtojmë se kjo është protesta e 3-të masive që zhvillon opozita e bashkuar pas asaj të 16 Shkurtit dhe të 16 Marsit, pas vendimit për të djegur mandatet e deputetëve dhe për të dalë në rrugë. Edhe në protestat e tjera kombëtare, pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme, ndërsa për herë të parë qytetarët grumbullohen në orët e pasdites.
Opozita kërkon një qeveri tranzitore, që të mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër. Vendi prej javësh ndodhet në një kolaps instyitucional, pasi ende nuk është bërë e mundur që të plotësohet numri prej 140 deputetësh që parashikon Kushtetuta e vendit.
E megjithatë derimë tani nuk ka asnjë hap pas nga mazhoranca socialiste, ndërsa Rama është shprehur se do të mbajë mandatin deri në vitin 2021.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post