Bashkia e Korçës i është përgjigjur dyshimeve të ngritura se po helmon qentë e rrugës, pasi një video që po qarkullon në rrjete sociale tregon shumë nga këto kafshë duke dhënë shpirt në rrugë.
Bashkia e Korçës në një reagim zyrtar mohon kategorikisht që të ketë lidhje me këtë situatë, duke sqaruar se e vetmja kompetencë që ka bashkia është sterilizimi i tyre.
“Bashkia Korçë nuk e pranon kategorikisht të ketë dorë në helmimin e qenve të rrugës. Burime pranë bashkisë shprehen se e vetmja kompetencë e saj është matrikullimi dhe sterilizimi i qenve endacakë, ndërkohë që janë dhe në pritje të krijimit të një strehe për kafshët endacake. Edhe nga ana e Policisë është pranuar që kanë qënë të shumta denoncimet nga qytetarët për këtë fenome“, thotë Bashkia.
Gjatë dy ditëve të fundit në Korçë janë shënuar helmime masive të qenve në rrugët kryesore të qytetit. Dyshohet se helmimet janë bërë në mënyrë të qëllimshme ndërsa kjo nuk është hera e parë që ndodh një fenomen i tillë. Të shumta kanë qënë reagimet e qytetarëve korçarë në rrjetet sociale të cilët kërkojnë nga institucionet që të parandalohet ky fenomen i cili përveç kafshëve të rrugës ka rrezikuar edhe kafshët e tyre shtëpiake.
(E.H/Faxweb.al)