05:05 | 03/05/2025

VIDEO/ U ekstradua nga Dubai, Florenc Çapja mbërrin në Rinas. RENEA blindon aeroportin, masa të rrepta sigurie

Policia e Shtetit ka finalizuar ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjes, 44 vjeç, një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia shqiptare. Ai mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 17.00 të kësaj të premte.

Çapja ndodhej në Dubai prej rreth 8 vitesh ku jetonte i pashqetësuar, ndërsa pas kthimit në Shqipëri do të vendoset në një burg të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin përjetë.

44-vjeçari Florenc Çapja, nipi i Ardian Çapjas, një emër i njohur në botën e krimit në Elbasan, është dënuar me burgim të përjetshëm për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në vitin 2012.

Së bashku me xhaxhain e tij, ai është shpallur fajtor për porositjen dhe organizimin e vrasjes së babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit, në banesën e tyre në qytetin e Elbasanit.

Vendimi gjyqësor është mbështetur në dëshminë e Ervis Bardhit, i cili ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë dhe ka pranuar përfshirjen në planifikimin e krimit, duke deklaruar se porosia për vrasjen ishte bërë për një shumë prej 50 mijë eurosh. Bardhi është dënuar me 15 vite burgim, ndërsa Olsi Leku, i identifikuar si ekzekutori, është dënuar me burgim të përjetshëm.

Dy persona të tjerë, Klajdi Dokolu dhe Etjen Cani, janë dënuar me nga 25 vite burgim secili.

Pas vendimit penal, SPAK ka nisur hetime pasurore ndaj familjes Çapja dhe ka vendosur sekuestro mbi disa prona, nën dyshimet për përfshirje në aktivitete kriminale të organizuara, që shtrihen edhe përtej territorit shqiptar.

SPAK vijon hetimet për rolin e anëtarëve të këtij grupi në ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Elbasan dhe më gjerë, duke e konsideruar këtë një nga çështjet më të ndjeshme të lidhura me luftën kundër krimit të organizuar në vend.

Para
 



Të Fundit