Policia ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë të cilat kanë fiksuar momentin kur autori i vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj, është larguar nga vendngjarja.
Blutë njoftojnë se autori është ndihmuar nga i vëllai i cili gjithashtu është arrestuar.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Fatmir Lleshaj, në një konferencë për shtyp ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes.
Lleshaj ka njoftuar se autori i ngjarjes, Arjon Hasaj, është vënë nën pranga, së bashku me vëllanë e tij, shtetasin Klisman Hasaj për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Ai ka sqaruar gjithashtu se nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.
Autori duket se ka përdorur rrjetet sociale për të organizuar vrasjen dhe nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se edhe e ka vrarë.