Dy ditë më parë u nda para kohe nga jeta humoristi i njohur vlonjat dhe njëri prej parodistëve të këtij qyteti, Muhamet Liko.
Qytetarë të Vlorës por edhe miq, të afërm dhe dashamirë të ndjerit, janë mbledhur mbrëmjen e sotme përpara Teatrit “Petro Marko” nga ku nën tingujt e këngëve dhe parodivë që këndoheshin prej tij kanë ndezur qirinj.
Ndërkohë bëhet me dije se trupi i Likos mbërrin në Vlorë ditën e martë, pasi ai ka ndërruar jetë në një spital Italian ku po merrte edhe ndihmë mjekësore.
Muhamet Liko i njohur ndryshe edhe si Meti i parodisë, prej pak vitesh vuante nga një shqetësim në zemër. Ndërsa i ishte nënshtruar edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Liko prej disa ditësh gjendej në Itali për kurim, ndërkohë dy ditë më parë familja ka ndarë lajmin se ka ndërruar jetë.
Muhamet Liko numëron qindra role në skenën e humorit me një aktivitet 41 vjeçar. Ai mban shumë tituj she çmime ndërsa së fundmi është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Liko është babai i dy fëmijëve. Ndarja nga jeta e Muhamet Likos është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare, ndërsa familja humbi njeriun e jetës.
(F.GJ/FAXWEB.AL)