Policia ka arrestuar një 42-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 10 vitesh për vrasje.
I arresauAri, me dy emra, është Ylli ( Fatmir ), Vangjelaj, 42 vjeç, banues në Vlorë. Ai kërkohej nga drejtësia italiane për vrasjen e një shtetase nga Ekuadori në 1999 me porosi të një grupi kriminal.
Njoftimi i plotë
Operacioni nga shërbimet e Drejtorisë Hetimore Qëndrore në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Njësinë Operacionale të Drejtorisë Hetimore Qëndrore si dhe në koordinim me shërbimin Policor Italian “Interforze” në Shqipëri.
Pas 10 vitesh kërkim, nga drejtësia Shqiptare dhe ajo Italiane, ndalohet 42 vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim”.
Më datë 12.07.2018, në sajë të shkëmbimit të informacioneve në kohë rekord midis strukturave të Policisë Shqiptare dhe asaj Italiane, në kuadër të operacionit policor i koduar “Fundi i arratisë”, u bë lokalizimi dhe kapja e shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar :
– Ylli ( Fatmir ), Vangjelaj, 42 vjeç, banues në Vlorë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë me shkresën Nr. 3077 të datës 24.04.09 ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit Nr.45 të datës 25.03.09 të Gjykatës së Rrethit Vlorë e cila e ka dënuar me 23 vjet burg, për veprën penale të “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 76 e 25 i Kodit Penal.
Vrasja për të cilën është dënuar ky shtetas është kryer në Itali në vitin 1999, si porosi e një grupi kriminal, ku është vrarë një shtetase ekuadoriane e cila dyshohej se punonte si prostitutë.
Ky shtetas i fshihej drejtësisë që prej 10 vitesh duke përdorur gjeneralitete të rreme.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale :
– një automjet i markës “Wolksvagen Passat”.
– një leje drejtimi e cila dyshohet e fallsifikuar pasi përmbante gjeneralitetet e të vëllait të personit të kërkuar
– dy telefona celular
Ky shtetas ju dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për ekzekutimin e vendimit penal, pasi Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin penal të Gjykatës Italiane e cila e ka dënuar këtë shtetas me 23 vite burg.
(B.H/Faxweb)