Nga një operacion policor është zbuluar mbremjen e së premtes një laborator kokaine. Punishtja e drogës ishte përshtatur në ambientet e brendshme të vilës, në zonën e njohur si lagjja e VIPA-ave. Nën drejtimin e SPAK dhe ndihmuar nga Policia e Shtetit, në kryeqytet dhe zona të tjera të vendit u zhvillua një aksion i gjerë antidroge. Më herët u zbulua një laborator kokaine në fshatin Qerekë të Fushë Krujës.
Në fabrikën e kokainës të zbuluar në fshatin Qerekë janë sekuestruar 2 kg kokainë dhe përzierës. Ndërsa të Kodra e Diellit është sekuestruar vetëm një sasi droge. Grupi kriminal ndërronte vazhdimisht banesat, kjo për të shmangur rënien në sy dhe humbur gjurmët.
Operacioni mbrëmjen e kësaj të premte u zhvillua në disa zona si Kavajë, Shkozet, Vorë, Kamëz, Qerek dhe Tiranë te Kodra e Diellit.
Sipas raportimeve, deri më tani janë ndaluar 7 persona. Janë të paktën 10 grupe operacionale që kanë kryer kontrolle në disa ndërtesa te Kodra e Diellit dhe në fshatin e Niklës. Burime nga policia bëjnë të ditur se njëri nga të arrestuarit është nga Venezuela.
Policia ndërmori mbrëmjen e kësaj të premte një operacion masiv në disa zona të vendit. Kontrolle u ushtruan në fshatin Qerekë të Fushë Krujës, te Kodra e Diellit 2 në Tiranë si dhe fshatrat Vishje e Ibë. Po ashtu, mësohet se kontrolle antidrogë janë zhvilluar dhe në disa vila në bregdet. Mësohet se në këtë aksion kanë marrë pjesë disa agjenci ligjzbatuese. Në krye mësohet se qëndron SPAK dhe Prokuroria spanjolle. Operacioni besohet se është kryer pikërisht për llogari të autoriteteve të Spanjës.
Operacioni masiv antidrogë vjen disa orë pas takimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Shtetit, Ilir Proda me zyrtarët e DEA-s, me qendër në Athinë.