Vazhdon prej orësh lufta me flakët që kanë përfshirë që prej mëngjesit të djeshëm fushën e mbetjeve në Mbrostar të Fierit. Fillimisht aty shkuan forcat e Bashkisë së Fierit, të cilat prej orësh tashmë ndodhen në terren për shuarjen e zjarrit dhe eliminimin e vatrave te tij.
Më pas, në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit, Roskovecit, por ende pa sukses deri në këto momente.
Ndërkohë, po punohet edhe me mjetet e tonazhit të rëndë për neutralizimin dhe shuarjen e flakëve duke hedhur dhe tek vatrat e zjarrit.
Situata është monitoruar gjatë gjithë natës për të shmangur përhapjen e flakëve, ndërsa janë mbuluar me dhe vatrat e zjarrit ndërsa një pjesë e tyre u eliminuan edhe nga zjarrfikësja.
Ndërkohë, si pasojë e zjarrit, që tashmë është shtrirë në një pjesë të konsiderueshme të fushës së mbetjeve, është prekur edhe një pjesë e hekurudhës aty pranë.
Një prej kujdestarëve tregon se zjarri ka sjellë një kaos serioz, i cili mund të ketë ardhur edhe nga temperaturat e larta, ndërsa shton se as zjarrfikëset nuk e marrin dot nën kontroll.
Punëtorët, të cilët prej orësh tashmë po luftojnë me flakët, mbajnë maskë në fytyrë kundër gazit, ndërsa era dhe temperaturat e larta favorizojnë flakët.
Ndërkohë, si pasojë e flakëve dhe erës së rëndë, banorët e zonave aty afër janë larguar nga banesat e tyre.
Discussion about this post