Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 46-vjeçar, pronar të një subjketi në Shëngjin pasi kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme një kat shtesë në objektin e tij 7-katësh, me funksion hotel.
Po ashtu u shpallën në kërkim shtetasi S. T., 47 vjeç, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë dhe shtetasi N. C., 41 vjeç, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë, pasi miratuan lejen e ndërtimit.
Njoftimi i policisë: Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmerisë, pas një hetimi 3-javor, finalizuan operacionin “Urbanistika”, në kuadër të të cilit u godit një rast i shpërdorimit të detyrës dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit:
- N., 46 vjeç, banues në Lezhë, pronar i një subjekti në Shëngjin;
U shpallën në kërkim shtetasi S. T., 47 vjeç, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë dhe shtetasi N. C., 41 vjeç, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasja A. M., 32 vjeçe, banuese në Lezhë, me detyrë përgjegjëse sektori në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë.
Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë kanë zhvilluar hetimet mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi F. N., pronari i një subjekti në Shëngjin, kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme një kat shtesë në objektin e tij 7-katësh, me funksion hotel, në kundërshtim me vendimin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, duke ndikuar në mënyrë të paligjshme kundrejt premtimit dhe përfitimit material tek shtetasit S. T., N. C. dhe A. M., për proceduren e miratimit të lejes së ndërtimit.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shpërdorim detyrë” e kryer në bashkëpunim për shtetasit S. D., N. C., A. M., dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërtim i paligjshëm” për shtetasin F. N.