Ka përfunduar procesi i përzgjedhjes për 5 pozicione drejtimi në Policinë e Shtetit, ku 51 kandidatë konkurruan për vendet vakante. Pozicionet për të cilat u zhvillua gara janë:
Shef i Komisariatit nr. 2, Tiranë
Shef i Komisariatit të Himarës
Shef i Komisariatit të Rinasit
Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Dibër
Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë
Sipas procedurës, emërimet do të bëhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Për të fituar një nga pozicionet, kandidatët duhet të kishin arritur minimumin e 70 pikëve në vlerësim. Nga 51 aplikantët, 15 kanë kaluar këtë prag dhe janë futur në listën e mundshme për emërim.
Në krye të renditjes është Idriz Daulle, aktualisht zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Tiranës. Sipas burimeve, ai pritet të marrë drejtimin e Komisariatit nr. 2, pas dorëheqjes së Ritvan Palit. Kjo lëvizje vjen në vazhdën e një operacioni të suksesshëm që çoi në arrestimin e ish-efektivit Altin Morina, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Në vendin e dytë renditet Përparim Dema, i cili aktualisht mban postin e shefit të Komisariatit të Rinasit, dhe pritet të vazhdojë në këtë detyrë. Pas tij vijnë Faik Ruko nga Policia e Elbasanit dhe Elvid Shehu, i cili është aktualisht i komanduar si shef i Komisariatit të Kufirit në Sarandë – post që pritet ta marrë në mënyrë të përhershme.
Po ashtu në listën fituese është edhe Bledar Rreshka, ish-drejtor i Komisariatit nr. 3 në Tiranë.
Lista e plotë e kandidatëve që kanë marrë mbi 70 pikë përfshin:
Idriz Daulle,Përparim Dema, Faik Ruko, Elvid Shehu, Bledar Rreshka, Florian Dano, Ferit Merkaj, Kliton Zharri, Artur Mersini, Ardjan Çela, Ermal Kenaçi, Ediona Dano, Behar Gançi, Oltjon Agolli dhe Pllumb Kovaçica
Emërimet zyrtare pritet të bëhen në ditët në vijim nga drejtori Ilir Proda. Ndërkohë, gara për pozicionin e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës ende nuk është hapur. Ky pozicion aktualisht mbulohet përkohësisht nga Lorenc Shehu, pas arrestimit të Roven Zekës nga SPAK.
Gjithashtu, vazhdon të jetë pezull edhe gara për pozicionet e drejtorëve të departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, të cilat sipas legjislacionit të ri kërkojnë zhvillimin e një procesi konkurrues.