Një rrëshqitje masive dheu ka ndodhur rreth orës 14:30 në ambientet e fabrikës së përpunimit të kromit në zonën e “Qafës së Burrelit”, territor i bashkisë Klos.
Ngjarja ka përfshirë një ekskavator dhe ka mbuluar një punonjës të kompanisë që operon në fushën e shfrytëzimit të mineraleve.
Menjëherë pas ngjarjes, është organizuar një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi me angazhimin e strukturave shtetërore dhe komunitetit lokal.
Në terren ndodhen forca të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi të bashkisë Klos, efektivë të Policisë, specialistë të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM), ekipe mjekësore me autoambulancë, si dhe forca të ushtrisë me pajisje speciale për detektimin e metaleve.
Mbështetje po jepet edhe nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.
Rrëshqitja përfshin një sipërfaqe të konsiderueshme, rreth 500 metra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi.
Për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit, operacioni po zhvillohet me kujdes maksimal për të shmangur rrëshqitje të tjera dhe rreziqe për ekipet në vendngjarje.
Ndërhyrja me mjete të rënda është bërë e mundur në disa segmente të luginës, megjithatë, deri në këto momente, trupi i punonjësit të zhdukur nuk është lokalizuar.
Operacioni vijon pa ndërprerje, në përpjekje për të dhënë një përgjigje sa më të shpejtë dhe për të sjellë ndihmë të menjëhershme.
Institucionet janë në koordinim të plotë dhe po zbatojnë të gjitha protokollet e sigurisë për këtë operacion të ndërlikuar.