Protestuesit që e kaluan natën në tendën e madhe të ngritur për ta nga Partia Demokratike, kanë nisur sërish të dalin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta që nisi në orën 12:00 të ditës së djeshme vazhdon e sot, ndërkohë që nuk ka afat përfundimi.
Ata shprehen të vendosur për të vijuar protestën: “Do të protestojmë deri në dorëheqjen e qeverisë. Do qëndrojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne nuk lodhemi duke protestuar.”
Një ditë më parë, menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kryedemokratit Lulzim Basha, nisi puna për ngritjen e tendës ku do të qëndrojnë protestuesit, të cilët kanë kaluar tashmë aty natën e parë. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe më pas Policia e Shtetit, u shprehën dje se protestuesit nuk do të pengohen, do të lejohen të vazhdojnë protestën e tyre. (XH.A/SHUPLAKA)