Procesi i votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit vijon me ritme të qëndrueshme, ndërsa deri më sot janë mbi 70 mijë emigrantë që kanë kthyer fletët e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nga mbi 245 mijë pjesëmarrës të regjistruar në këtë proces. Mdërkohë gazetarja e Fax News Fatime Baçi thotë që ende mbeten për t’u shpërndarë rreth 30 mijë fletë votimi, ndërsa ka gati edhe dy javë kohë në dispozicion për realizimin e plotë të shpërndarjes.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se votuesit në diasporë kanë afat deri në javën e parë të majit për të dërguar me postë fletët e votimit. Çdo zarf që mbërrin në Shqipëri pas datës 11 maj, ora 19:00, do të konsiderohet i pavlefshëm.
Greqia vijon të jetë një ndër vendet më aktive për sa i përket shpërndarjes dhe kthimit të zarfeve, ndërkohë që kompania postare e kontraktuar, DHL, nuk ka marrë ende pagesën nga KQZ-ja. Fondi i parashikuar prej 10 milionë eurosh mund të mos i disbursohet tërësisht në fund të procesit, për shkak të vonesave dhe problematikave të hasura gjatë zbatimit të marrëveshjes.
Në një vizitë të kryer së fundmi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi inspektoi nga afër qendrën “Feti Corona”, ku po ruhen dhe verifikohen zarfet me votat e ardhura nga jashtë vendit. Ai u shpreh se procesi po ndiqet me kujdes dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, megjithatë mbetet i hapur ndaj çdo denoncimi dhe vëzhgimi nga subjektet zgjedhore.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka depozituar një ankesë zyrtare në KQZ, duke ngritur shqetësime serioze për administrimin e procesit të votimit nga jashtë vendit. Në dokumentin e dorëzuar, PD pretendon se protokolli i dakordësuar ndërmjet KQZ-së, partive politike dhe kompanisë DHL nuk është respektuar. Sipas PD, në disa raste zarfi me materialet zgjedhore nuk është dorëzuar personalisht votuesit, por është marrë nga persona të tretë, pa verifikim identiteti dhe pa firmën përkatëse të zgjedhësit. Ka pasur edhe raste kur zarfi është lënë në hyrje banesash apo në kuti postare, gjë që rrezikon seriozisht integritetin e procesit.
Në një tjetër zhvillim, Komisioneri Celibashi ka vlerësuar raportin mbi veprimtaritë publike për periudhën 20–26 prill 2025. Gjatë mbledhjes së fundit të KSHZ-së, u vendos nisja e hetimit administrativ ndaj: Muzeut Historik Kombëtar, Bashkisë Vlorë dhe Bashkisë Belsh për shkelje të mundshme të kuadrit zgjedhor.
Nga monitoruesit janë dorëzuar 10 raporte shkeljesh, ndër të cilat:
- 8 raporte për hapje zyrash zgjedhore në një distancë më të vogël se 300 metra nga QV-të, VNV-të apo KZAZ-të, në kundërshtim me nenin 5 të udhëzimit nr. 6, datë 23.3.2021 të KSHZ-së;
- 2 raporte nga bashkia Belsh për vendosje të materialeve propagandistike në fasada banesash.
Subjektet zgjedhore janë urdhëruar që të heqin materialet propagandistike brenda 24 orëve, në të kundërt, largimi i tyre do të kryhet nga Policia Bashkiake me urdhër të KQZ-së.