Skënderbeu dhe Partizani do të përballen në kuadër të javës së 18-të të Superligës ditën e enjte. Një ndër sfidat interesante dhe të forta që do të prodhojë kjo javë për të mbyllur këtë fazë të 2016-ës.
Mesfushori i të kuqve, Emiljano Vila në një konferencë për shtyp e ka cilësuar takimin ndaj korçarëve të vështirë por thksoi se do t’ia dalin mbanë.
“Skënderbeu – Partizani është edhe kryesfida e kësaj jave. Sigurisht do të jetë një ndeshje e fortë pasi luajmë në Korçë me rivalin tonë kryesor që kemi patur në vitet e fundit për titull. Eshtë një ndeshje që i ka të 3-ja rezultatet , ne do të bëjmë punën tonë të zbatojmë me rigorozitet detyrat që do të na japë traineri Starova dhe rezultatin ta përcaktojë fusha”.
Gjendja e ekipit
“Gjendja e lojtarëve është mjaft e mirë dhe ne e presim qetësisht këtë sfidë. Ndaj rivalëve për titull këtë vit ne kemi dominuar në takimet ndaj tyre, por mendoj se vetëm fati nuk ka qenë në anën tonë, shpresoj që ta tregojmë veten në ballafaqimin në Korçë dhe t’ia dalim mbanë. Nëse shënoj përsëri!!! Normale çdo lojtar në radhë të pare hyn në fushë për të dhënë maksimumin e pastaj për të shënuar nëse i jepet rasti, sigurisht në ndeshje të tilla çdo lojtar shpreson të shënoj gol”.
Skuadra
“Ne si skuadër krijojmë shumë raste por nuk kemi arritur të shënojmë shumë gola, por pozitive është që ne po prodhojmë lojë dhe kjo na jep garanci që edhe golat do të vijnë në vazhdimësinë e kampionatit. Nuk mendoj se rezultati i kësaj ndeshje do të jetë përcaktues për titullin pasi mbeten për tu luajtur edhe 2 faza të tjera. Për këtë ndeshje s’besoj se duhet karikim ekstra pasi ne në të gjitha takimet kërkojmë të marrim maksimumin e pikëve”.
Starova
“Me ardhjen e Starovës kemi rikuperuar 7 pikët diferencë që kishim me Skënderbeun duke qenë plotësisht në luftë për realizimin e objektivit fitimin e titullit Kampion. Edhe për përballjen e radhës do të shkojmë për të marrë 3 pikët në Korçë”.