Temperaturat e larta dhe ndotja e ajrit kanë rritur mjaft numrin e të prekurve nga virozat e stinës në Berat. Rreth 60 fëmijë vizitohen çdo ditë në Pediatrinë e Beratit dhe gjysma e tyre shtrohen për mjekime më të specializuara.
Vetëm gjatë kësaj jave numri i vizitave në Repartin e Pediatrisë së Beratit ka qenë rreth 400,ndërkohë që të prekurit nga virozat janë fëmijë të moshave nga 0-5 vjeç.
Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit,mjeku pediatër Vladimir Kumaraku ka pohuar se, këto viroza që kanë prekur fëmijët janë shoqëruar në të gjitha rastet me temperaturë të lartë dhe ethe.
Mjeku Kumaraku ka deklaruar se,këto viroza janë shoqëruar edhe me infeksion gastrointensinal dhe fëmijët po trajtohen me antibiotikë dhe perfuzione.
Sipas Kumarakut,shtimi i rasteve të virozave ka ardhur si pasojë e temperaturave të larta dhe ekspozimi i tepërt në diell pasi fëmijët janë paraqitur në spital të dehidratuar dhe me diarre.
Mjeku Kumaraku këshillon prindërit t’i mbajnë në shtëpi fëmijët gjatë 2-ditëve të para të virozës, të monitorojnë temperaturën,të përdorin kompresa dhe më pas t’i sjellin në spital n.q.s. gjendja e tyre e përgjithshme nuk përmirësohet.