Mësohet se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë ku ka takuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Shpend Maxhuni i njohu të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, – tha Maxhuni.
Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu vlerësoi punën e Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin midis dy Policive, i cili ka treguar rezultate në fusha të ndryshme.
Maxhuni e Veliu konfirmuan vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë edhe në të ardhmen në fusha të ndryshme me interes të përbashkët policor, shkëmbimin e përvojave policore përmes zyrtarëve policorë, trajnimet në fusha të ndryshme me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta, në parandalimin dhe luftën e krimit duke përfshirë atë trans kufitar, si dhe lehtësimin e kalimit kufitar.
(E.L/Faxweb)