Ditën e djeshme, dy persona ende të paidentifikuar iu afruan postierit të Postës Sekrete të Prokurorisë së Durrësit, duke vjedhur disa dokumenta.
Një ditë pas vjedhjes së bujshme të Postës Sekrete të Prokurorisë së Durrësit, “Boldnews.al” zbulon në mënyrë ekskluzive detaje mbi dokumentat që iu rrëmbyen korrierit të institucionit.
Burime të brendshme nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se në drejtim të Durrësit janë nisur një numër i konsiderueshëm aktet të partnerëve ndërkombëtarë, si edhe të tjera dokumenta sekretë.
Po të njëjtat burime saktësojnë se bëhet fjalë për të paktën 5 materiale të ardhura nga agjencitë e huaja ligjzbatuese të një rëndësie të veçantë. Madje një prej të cilave është për një çështje me sensitivitet të lartë.
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar me postë sekrete materialet e mbërritura gjatë 4 ditëve të fundit, përfshirë edhe ato që kanë mbërritur me urgjencë gjatë fundjavës. Të gjitha këto materiale janë dokumenta origjinalë, pasi vetëm në mënyrë të tillë mund të pranohen nga gjykata.
Pra, grabitësit e korrierit të Prokurorisë së Durrësit tashmë kanë në dorë materiale, jo thjesht sekrete, por edhe kopje të vetme origjinale të autoriteteve të huaja. Për këtë arsye, është argument shumë i dobët ai që është përcjellë në media nga Prokuroria e Durrësit se “informacionet e vjedhura nuk cënojnë hetimet në zhvillim”. Zhdukja e këtyre dokumentave origjinalë cënon drejtëpërdrejtë hetimin e rasteve konkrete.
Të dhënat e rrëmbyera nga dy grabitës, të cilët ende nuk janë identifikuar, me shumë mundësi janë në duart e anëtarëve të grupeve kriminale, të cilët qartësisht rezulton se kanë pasur dijeni për dokumentat që gjendeshin në çantën e korrierit të Prokurorisë së Durrësit.
Kjo ngjarje po arrin shumë shpejt në kufijtë e një skandali të rrallë në Prokurorinë Shqiptare. Duke rindërtuar skemën, Prokuroria e Përgjithshme dërgon materiale sekrete në Prokurorinë e Durrësit. Në çdo rast, dërgimi i të dhënave sekrete i bëhet paraprakisht me dije edhe titullarit të Prokurorisë pritëse, në rastin konkret kryeprokurores së Durrësit, Donika Prela.
Por, të dhënat sekrete, të cilat dihen vetëm nga një numër shumë i vogël zyrtarësh të lartë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Durrësit, me shumë mundësi u janë përcjellë edhe grupeve kriminale. Dhe, këta të fundit, organizuan vjedhjen me dhunë të çantës së korrierit të Prokurorisë së Durrësit, duke marrë në dorë dokumenta origjinalë të agjencive të huaja, të cilët duhet të kenë të shënuar emrat e tyre.
Në media, gjatë ditës së Mërkurë, janë publikuar informacione nga “burime nga Prokuroria e Përgjithshme”, të cilët deklarojnë se në postën sekrete të dërguar drejt Prokurorisë së Durrësit kishte dokumenta si akt-ekspertiza për narkotikë dhe mjeko-ligjore. Por, kjo tentativë për të sfumuar peshën e skandalit është shumë e dobët. Materiale të tilla, si aktet e ekspertimit, nuk përcillen me postë sekrete. Ato janë akte rutinore, për përcjelljen e të cilave përdoren në mënyrë rutinore zyrat postare ose oficerët e Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit.
Burimi: Boldnews