Më 26 dhjetor Ministria e Energjisë dhe Industrisë urdhëroi ndalimin e injektimit të ujit teknologjik nga kompania ”Bankers Petroleum” në zonën e Zharrëzës. Një grup pune me ekspertë kishte numëruar 2766 lëkundje brenda thuajse 3 muajsh. Pra një mesatare prej 30 tërmetesh në ditë.
Banorët e Zharrëzës, më në fund të vendosur, pas tentativa protestash, bllokimi rrugësh, greve urie, u nisën në këmbë drejt Tiranës. Pas 132 kilometra të përshkuar, ata ndodhen në ditën e tretë të protestës, para hyrjes së ministrisë.
Takuan zv.kryeministrin Niko Peleshi dhe zv.ministrin e Energjisë, Ilir Bejtja, por nuk kanë ende besim se qeveria do lëvizë. Kanë dy kërkesa thelbësore: ndalimin njëherë e përgjithmonë të injektimit të ujit teknologjik nga ”Bankers” që sipas tyre shkakton lëkundjet e tokës mbi të cilën janë ngritur shtëpitë dhe dëmshpërblimin për dëmet e mëdha që u janë bërë shtëpive ku jetojnë.
VKM-JA
Qani Rrethi, Elton Gremi, Plarent Mamo, Lim Hoxha, Alket Asllani, Stilian Sinjari dhe Enri Dine janë banorët këmbëngulës të Zharrëzës që nuk kanë besim te takimi me Peleshin dhe Bejtjen. ”VKM-në, duam VKM-në”, kërkojnë me të drejtë protestuesit që kanë gjetur një mbështetje të madhe qytetare.
Por si është puna e Vendimit të Këshillit të Ministrave? Pse grevistët e Zharrëzës detyrohen të qëndrojnë me ditë, në të ftohtë e në shi dhe me pamundësinë e konfirmuar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme Tahiri se një çadër nuk mund ta ngrenë dot kurrë?
Burime të ministrisë së Energjisë tregojnë për ”Shuplaka”-n se pritet që vendimi i qeverisë të merret të mërkurën. Po pse qeveria nuk nxiton ta marrë që sot, meqe dje dhe pardje nuk mundej për shkak se ishte ditë pushimi?! E gjitha sipas burimeve ka të bëjë me procedurat. Sipas ministrisë, një vendim i tillë nuk mund të merret pa respektuar procesin, i cili përcakton një afat deri në 2 javë.
DERI MË TANI…
Çfarë ka bërë qeveria deri më tani për të ndaluar katastrofën që po ndodh në Zharrëz? Një urdhër i Gjiknurit thjesht e ka ndaluar përkohësisht injektimin e ujit teknologjik. Së dyti ka nisur vlerësimi i dëmeve nga Emergjencat Civile, ku në total janë evidentuar 507 banesa, mes të cilave 70 me dëmtime të rënda dhe të shkatërruara. 26 nga këto 70 janë të pabanueshme. Me VKM do të përcaktohet dëmshpërblimi për 70 shtëpitë dhe plani i masave, dërgimi me qira i banorëve në streha të tjera, deri në rregullimin e shtëpive të tyre. Këto janë kosto që i paguan shteti, por në një moment të dytë kjo faturë mund t’i shkojë ”Bankers Petroleum”. Mësohet se sot është duke u përpiluar marrëveshja mes Ministrisë dhe protetuesve, e cila do shndërrohet në VKM. VKM-në po e përpilon Ministria e Punëve të Brendshme, duke qenë se Emergjencat Civile varen prej saj (dje ministri Tahiri vizitoi natën protestuesit). Për 437 shtëpi të tjera do pritet vlerësimi i ekspertit ndërkombëtar.
”Pas ndërhyrjes dhe monitorimit që iu vu ”Bankers Petroleum” për një periudhë dy-vjeçare aty nuk ka patur lëkundje me pasoja në banesa e pronë. Ato u rikthyen në Nëntor-Dhjetor 2016. Ishin të dhënat e sizmomatësave që u vunë, ata që na nxorën se sa lëkundje kishte gjatë kësaj periudhe. Bazuar mbi këto të dhëna paraprake nga IGJEUM-i dhe SHGJSH-ja ne urdhëruam pezullimin e injektimit të ujit teknologjik në tre puset gëlqerore të Zharrëzës deri në një urdhër të dytë, pikërisht sepse ekzistojnë nga ne dyshimet e arsyeshme se lëkundjet kanë lidhje me aktivitetin. Nga ndalimi i injektimit deri më sot, sipas matjeve që disponojmë nga IGJEUM-i përmes sizmomatësave rezulton rënie e numrit të lëkundjeve dhe nuk ka pasoja të mëtejshme.”, thuhet nga Ministra.
EKSPERTI NDËRKOMBËTAR
Nëpërmjet IGJEUM-it është urdhëruar vendosja e 3 siziomatësave të rinj në zonë, ndërsa Albpetrol ka hapur tenderin për blerjen e tyre. ”Në momentin që flasim është evidentuar se ka rënie të lëkundjeve, që kur injektimet me ujë teknologjik janë ndaluar”, thonë burimet, gjë që vërteton ndikimin që ka injektimi.
Megjithatë, duke qenë se në planin e punës së ”Bankers”-it është përcaktuar edhe injektimi me ujë teknologjik, ministria ka përpiluar një listë me 5 ekspertë ndërkombëtarë, mes të cilëve kompanisë i është ofruar të zgjedhë njërin, për ekspertizë. ”Nëse eksperti ndërkombëtar konfirmon se injektimi shkakton lëkundjet, atëherë ”Bankers”-i është i detyruar jo vetëm mos ta realizojë më, por edhe të dëmshpërblejë 507 familjet, një më një”, sqaron burimi në ministri.
Sipas informacionit të marrë, injektimi me ujë teknologjik ka qenë realizuar edhe nga ”Albpetrol”-i, por për shkak të fuqisë së vogël, ka patur injektime që nuk kanë shkaktuar probleme.
Injektimet bëhen në toka ranore dhe gëlqerore dhe në gëlqeror siç është Zharrëza, efektet janë katastrofike.
”Lista që kemi marrë përmes IGJEUM-it me emrat e 5 instituteve ndërkombëtare ekspertë të fushës i është dërguar zyrtarisht BANKERS-it dhe në 21 shkurt është marrë prej tyre dakordësia për t’u ulur e caktuar ekspertin e pavarur që do të analizojë me synim zgjidhjen perfundimtare të shkaqeve të lëkundjeve nëse ato kanë apo jo lidhje me aktivitetin hidrokarbur. Se sa kohë do marrë puna e ekspertit është e pamundur të thuhet aktualisht.”, përfundon burimi në ministri.
BANKERS-i
Burime te ”Bankers Petroleum”-i konfirmojnë se që prej datës 26 dhjetor nuk bëjnë më injektime.Lidhur me ekspertin ndërkombëtar, ”Bankers”-i thotë se e mbështet.
”Ne e kemi mbështetur. I kemi çuar edhe shkresë zyrtare ministrisë, para një muaji që ne e mbështesin plotësisht caktimin e një eksperti ndërkombëtar, i cili do të arrijë në konkluzione shkencor nëse ka lidhje mes lëkundjeve dhe operacioneve hidrokarbure.
Nuk kemi rënë dakord ende në një emër, pasi është në proces. Kemi rënë parimisht dakord. Dhe kompania për të sqaruar këtë mëdyshje, ka blerë dhe 2 matësa sizmikë që janë vendosur në zonë. Ne nuk jemi absolutisht kundër një procesi transparent. Jemi pro. Mënyra se si operon ”Bankers”-i monitorohet nga Albpetroli, nga AKBN-ja, nga Ministria dhe ne nuk bëjmë as një lëvizje të vogël nëse nuk na i miratojmë më përpara planin e punës. Jemi në monitorim të vazhdueshëm. Plani i Punës dhe procesi teknologjik që ne aplikojmë miratohet nga të gjitha këto institucione. Dhe ato e dinë shumë mirë që ”Bankers”-i as nuk përdor këtë ujë teknologjik që të nxjerrë naftë as shpërthime siç thuhet lart e poshtë. Ju mund ta pyesni shumë mirë ministrinë dhe AKBN-në.”, bën me dije ”Bankers”.
Por të pyetur se çfarë mendojnë nëse banorët e 507 shtëpive do t’u kërkojnë dëmshpërblimin në rast se eksperti ndërkombëtar lidh injektimin e ujit teknologjik me lëkundjet, burimi nga ”Bankers”-i përgjigjet vetëm me frazën ”Mbetet për t’u parë” dhe se janë të bindur për të kundërtën.
”Tani kjo mbetet për t’u parë. Unë nuk di ta them përpara. Ne do presim çfarë do vendosë ai. Ne jemi të bindur që në gjykimin tonë nuk ka lidhje, operacionet hidrokarbure nuk shkaktojnë lëkundje. Do presim. Do shikojmë procesin. Sigurisht që ne jemi shumë bashkëpunues me autoritetet shtetërore.”, përfundon ”Bankers Petroleum”. (V.G/SHUPLAKA)