Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako, në një lidhje telefonike për Fax News, tha se situata në Kukës mbetet e vështirë, veçanërisht në zonën e Thirrës dhe në majën e Rrunës, ndërsa për momentin është neutralizuar gjendja mbi tunelin e Kalimashit.
Çako tha se në Kukës është duke punuar me të gjitha kapacitetet e mundshme, por situata mbetet e vështirë për shkak të terrenit të thyer, por edhe për shkak të gjatësisë që ka marrë vija e zjarrit.
Kreu i emergjencave bëri thirrje dhe për qytetarët që të ndihmojnë në terren për shuarjen e zjarrit, pasi sipas tij është duke u shkrumbuar pasuria e përbashkët.
“Vazhdon operacioni për shuarjen e flakëve si në tunelin e Kalimashit, ashtu dhe në zonën e Thirrës. Ka pasur një intesitet të lartë të zjarrit gjatë natës, që ka krijuar vështirësi në kalimin e rrugës, por falë ndërhyrjes të të gjitha strukturave, në bashkëpunim dhe me forcat e ardhura nga Kosova, kanë mbajtur të sigurt kalimin në tunel.
Aktualisht po punohet që zjarri të mos kalojë në anën jugore të tunelit. Zjarri është vënë në kontroll në zonën e tunelit, banesat janë të siguruara, dhe me prezencën e forcave operacionale.
Di të them që të gjitha kapacitetet janë të angazhuara, operohet dhe nga ajri dhe nga toka, nuk mund të bëjmë dot llogaritjen e mjeteve, pasi është në varësi të përmasave që do të marrë zjarri. Në këto momente nuk ka erë të theksuar, është një erë e lehtë që fryn nga veriu në jug, temperaturat mbeten të larta, duke favorizuar dukshëm edhe djegien.
Situata në vend vijon të mbetet me probleme, është rishfaqur sërish gjatë natës zjarri në Karaburun, ku një vatër ka krijuar zgjerim të zonës, edhe aty po punohet si nga ajri, si nga toka. Dy janë pikat më kritike, Karaburuni, dhe zona e Thirrës dhe e Rrunës në Kukës.
Do të vazhdojë puna me të gjitha strukturat dhe të gjitha mjetet, në bashkëpunim dhe me bashkitë, me forcat e ushtrisë dhe me forcat e policisë. Problem mbetet reagimi qytetar, bëj një thirrje që të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e forcave operacionale në terren, pasi kemi të bëjmë me një pasuri dhe rrezik të përbashkët”, tha Çako në Fax News.
(E.K/Faxweb.al)