Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 27 prillit, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku është gjetur pa shenja jete shtetasi Renato Hoxhaj, 58 vjeç. Trupi i tij u zbulua në rrugë, shumë pranë banesës ku ai jetonte, ndërsa të dhënat paraprake nga grupi hetimor flasin për dyshime të forta se ai është ekzekutuar me armë zjarri.
Renato Hoxhaj ishte i punësuar si roje në një objekt ndërtimi pranë shtëpisë së tij, dhe zakonisht nisej herët në mëngjes për të marrë detyrën. Ai është gjetur i pajetë nga kalimtarë të rastësishëm, të cilët kanë njoftuar menjëherë Policinë. Burime nga policia konfirmojnë se viktima është qëlluar me tre plumba, dy ne kokë dhe një në gjoks.
Viktima jetonte vetëm pasi ishte i divorcuar prej vitesh dhe ishte baba i dy fëmijëve të rritur. Burime zyrtare nga grupi hetimor bëjnë me dije se Hoxhaj nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë apo konflikte të njohura me drejtësinë, çka e bën ngjarjen edhe më të paqartë në lidhje me motivin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po analizon të gjitha pistat e mundshme, përfshirë ato që lidhen me jetën personale, marrëdhëniet familjare, si dhe të kaluarën profesionale të viktimës.
Policia ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor që po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Hetimet janë përqendruar në grumbullimin e çdo prove të mundshme, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë përreth, që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.