Gjykata e Vlorës ka dënuar me 5.4 vite biznesmenin Pëllumb Petritaj I cili akuzohet për pastrim parash, abuzim me pronat dhe falsifikim dokumentash.
Kjo është hera e dytë që Petritaj dënohet, ndërsa dënimi është dhënë ditën e sotme. Mësohet se Prokuroria nga ana tjetër kishte kërkuar dënimin me 8 vite heqje lirie, por që gjykata ka vendosur për 5 vite e 4 muaj.
Gjykata ka rikthyer në burg nëntorin e kaluar biznesmenin vlonjat, Pëllumb Petritaj, i cili ishte nën akuzë për përfitimin e 100 hektarëve tonë në zonën e Zvërnecit në Vlorë, përmes falsifikimit të dokumenteve.
Vendimi për të është marrë në seancën e mbajtur në Gjykatën e Vlorës, gjatë së cilës prokurori Albert Kuliçi, kërkoi ndryshimin e masës së arrestit nga garanci pasurore në arrest me burg.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Atalanta Zeqiri dhe anëtar Skënder Haluci dhe Albert Spiro, vendosi pak muaj më parë pranimin e kërkesës së prokurorit, duke kthyer ne burg biznesmenin.
Biznesmeni Petritaj, u arrestua ne tetor te vitit 2018 dhe u la i lirë përmes një garancie pasurore prej 25 milionë lekësh, në maj të 2019-tës.
“Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Vlorë, ka bërë ndalimin e shtetasit: Pëllumb Petritaj, 54 vjeç, banues në Vlorë. Shërbimet e Policisë kanë bërë ndalimin e tij pasi ky shtetas dyshohet të jetë autorë i kryerjes së veprave penale ‘Falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 287/3 të Kodit Penal. Nga hetimet e kryera, dyshohet se Pëllumb Petritaj ka falsifikuar dokumentacionin e origjinës në lidhje me një sipërfaqe toke prej 100 Ha në zonën e Zvernecit. Për këto vepra penale, mbi bazën e Vendimit Penal nr.1777, datë 09.10.2018, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’”, thuhej në njoftimin zyrtar të Policisë asokohe.
(F.GJ/FAXWEB.AL)