Fshihte lëndët narkotike në magazinën e lokalit, dhe i ndante në doza për shitje, vihet në pranga 38-vjeçari. Ky është aksioni më i fundit policor në Vlorë. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në kuadër të veprimeve operacionale për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjen, organizoi dhe kreu kontrolle në një ambient që shërbente si magazinë, pranë lokalit në administrim të tij, si dhe në banesën e tij.
Si rezultat, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Elton Llanaj., 38 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrolleve në magazinën dhe banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kanabis dhe kokaine, të cilat ky shtetas dyshohet se i ndante më pas në doza me qëllim shitjen e tyre.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.