Të tjera detaje dalin mbi grabitjen e së martës mbrëmje, ku Eduart Ngota dhe Zenel Dama, vunë në jetë planin e tyre për vjedhjen e kasafortës së një hoteli, brenda së cilës ndodheshin ora e bizhuteri floriri me një vlere prej afro 100 mijë eurosh.
Mësohet se Ngota dhe Dama, për të cilët gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, mbrëmjen e së martës morën një makinë me qira tip “Fiat Punto”, që do t’u shërbente për transportimin e kasafortës.
Ata u rregjistruan për një natë në hotel, ndërsa vetëm pas disa orësh ata kanë futur në një çantë të madhe kasafortën dhe e kanë futur në makinën e marrë me qira.
Kasafortën më pas e kanë dërguar në banesën e tyre, ku kanë nxjerrë orët, bizhuteritë dhe paratë që ndodheshin brenda.
Ndërkohë kasafortën e kanë futur sërish në çantë, e kanë transportuar në hotel dhe e kanë lënë në të njëjtin vend ku ishte, në mënyrë që të mos binin në sy.
Mirëpo kur një prej punonjësve mëngjesin e së mërkurës ka parë që kasaforta ishte boshatisur, ka lajmëruar për vjedhjen dhe policia ka arritur ta zbulojë banesën ku ishte fshehur kasaforta, nga gjurmimi i makinës së marrë me qira. (D.D/Shuplaka)