Gjatë ditës së sotme, Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, është ndalur në Bashkinë e Klosit, ku ka ndihmuar tri familje në nevojë.
Ajo u ndal fillimisht në familjen e Vebi Çollakut, djali i të cilit vuan nga sëmundja e “Parkinsonit”. Ministrja e Mbrojtjes i është përgjigjur apelit për ndihmë të vogëlushes së kësaj familje.
“Ne një dhomë kemi. Dhoma tjetër është e xhaxhit. Ne jemi edhe pa analiza, babi nuk merr pension. Ne kemi shpresat vetëm tek ju Zonja Kodheli.”, shprehet vogëlushja mes lotësh duke falenderuar edhe kryeministrin Edi Rama, teksa ministrja Kodheli i përgjigjet: “Mirë zemër, patjetër mos u mërzit. Shyqyr kemi mamin, kemi gjyshin.”
Kodheli u ndal edhe në dy familje të tjera në Bashkinë e Klosit, në familjen e Ali Kurtit dhe në familjet në fshatin Lis të Bashkisë së Matit.
Në fjalën e saj, ministrja Mimi Kodheli u shpreh se ministria që ajo drejton, po iu vjen në ndihmë banorëve në të gjitha anët e Shqipërisë, qoftë nga toka apo ajri.
“Jam e kënaqur që më jepet rasti sot të ndaj me ju një falenderim të veçantë të Forcave të Armatosura që gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë për qytetarët shqiptarë, për shkak të motit të keq, reshjeve të dëborës, reshjeve të shiut, të ftohtit të acartë, kanë mundësuar jo vetëm të ndërhyjnë sa herë është parë e nevojshme nga toka, nga ajri, por dhe t’u japin ndihmën e tyre familjeve në nevojë në një zonë me varfëri të spikatur.
Jemi bashkarisht me Forcat e Armatosura duke shpërndarë ndihma ushqimore në familjet në nevojë. E bëjmë këtë përtej angazhimit tonë në emergjenca.”, u shpreh ndër të tjera ministrja, e cila theksoi se ndihma do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. (XH.A/SHUPLAKA)