Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës në një intervistë për “SuperSport” ka folur për paraqitjen e dobët të Kosovës deri më tani në fazën eliminatore të Kupës së Botës “Rusi 2018”.
Vokrri thekson se mungesa e eksperiencës të një ekipi të ri ka bërë që paraqitjet e tyre të lënë për të dëshiruar.
“Ekipi është i ri, pa ndonjë eksperiencë ndërkombëtare. Po gjithmonë ne si udhëheqës të futbollit në Kosovë duhet të jemi në analizat tona më realistë dhe jo të flasim me zemër dhe emocione. Dëshirat janë një dhe mundësitë janë krejt të ndryshme”.
Për sa i përket marrëdhënies me FSHF-në, kreu i futbollit të Kosovës pohoi se gëzojnë marrëdhënie shumë të mira.
“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera, nuk ka asnjë arsye që këto te vihen në diskutim se e gjithë strategjia e futbollit shqiptar, si andej, si këndej, ka qenë në harmoni të plotë mes dy federatave”.