Ka pasur debate në mbledhjen e sotme të Komisionit të Edukimit, teksa Mirela Kumbaro ka raportuar në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar.
Kumbaro dhe deputetja Albana Vokshi, ngritën zërin herë pas here, teksa deputetja demokrate kërkoi dorëheqjen e ministres. Debati nisi për një dokument që sipas Vokshit ministrja e kishte mohuar prezencën e tij, teksa ishte pyetur më herët.
Vokshi: Ke gënjyer zyrtarisht, ja tek e ke dokumentacionin. Jep dorëheqjen. Kompania që ju keni përzgjedhur për ndërtimin e Teatrit është e njëjtë me atë që ka ndërtuar sheshin Skënderbej.
Kumbaro: Në arkivat zyrtare të Ministrisë së Kulturës nuk ka qenë. Kam katër vjet që përballem me situatën në Teatrin Kombëtar që nuk është bërë asgjë. Qeveria juaj hodhi në kosh 6 milionë euro, me idenë që ta kthente piramidën në Teatër, dhe Teatri u la në gjendjen që është sot.
Vokshi: Kryeministri ka thënë që Teatri do të shembet, dhe se në rrënojat e tij do të ndërtohet një kullë.
Kumbaro: Kryeministri ka shprehur vullnetin e tij politik, dhe të qeverisë. Unë nuk thashë që do të tërhiqemi nga shembja, por do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore për ndërtimin e tij.
Vokshi: A e ka bërë vëllai juaj projektin e Piramidës?
Kumbaro: Nuk është e vërtetë, vëllai im nuk është arkitekt…
(E.K/FAXWEB)