Gazetari i kronikës, Elton Qyno ka reaguar pas videos që hodhi Policia e Shtetit, ku dukej qeni “Brandi” duke u stërvitur. Në komentin e tij poshtë videos gazetari tregon të vërtetat.
Sipas tij, qeni nuk është parë në terren. Ai kërkoi nga policia që të pranojë që ishte shumë poshtë me logjistikë për të menaxhuar situatën e tërmetit.
“Vonë e nxorët këtë qenin. Nuk e pamë në terren dhe në asnjë plan filmik tre ditë pas tërmetit këtë pastorin. Duhet ta pranoni që ishim shumë poshtë me logjistikë, madje dhe me qen në krahasim me Kosovën. Shyqyr që atyre djemve në terren u ka krijuar Zoti duart e këmbët, me thonjë kanë punuar për të gjetur të gjallët”, shkroi Qyno në komentin e tij.
Por përfaqësuesit e Policisë së Shtetit nuk kanë qëndruar pa replikuar. Punonjësi i zyrës së shtypit, Gent Mullai iu kundërpërgjigj duke thënë se “Brandi ka qenë pjesë e operacioneve.
“Më vjen keq, por ndiqe kronikën, është në tch. Ishte qeni jonë i pari në 6 të mëngjesit. Ishte ky Brand që përcaktoi saktë vendodhjen dhe më pas qeni i Zvicrës përcaktoi në të njëjtin vend që kishte përcaktuar Brandi. Janë të dokumentuara e të faktuara.
S’mund të ishte Brandi në të gjitha njëkohësisht. Ndërsa heronjetë e Reneas e FNSH ishin kudo duke mos përfillur rrezikun për jetën e tyre, por bënë të pamundurën. Jo për replikë miku im”, ishte kundërpërgjigja e Gent Mullait.
(M. I./ Faxweb.al)