Një ditë pas dështimit të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në të cilën pritej të konstituohej Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ka zbarkuar pranë KLP-së, e shqetësuar për ngritjen e SPAK, Ambasada Amerikane në Tiranë si dhe Zv. Ndihmës Sekretar i Shtetit në SHBA, Jorgan Andreës.
Ata kanë takuar kreun e KLP-së, Gent Ibrahimi, i cili ka informuar se po shikohen hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë që kanë kaluar tashmë zyrtarisht Vetting-un dhe me dy prokurorë të tjerë të kualifikuar për Prokururorinë e Posaçme dhe që kanë kaluar vettingun në të dyja shkallët. Më të përfolurit janë prokurorët e Prokurorisë për Krime të Rënda, Vladimir Mara dhe Drirtan Prençi.
“Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndesishme: zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritja e SPAK. Këshilli shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë tashmë te vetuar dhe 2 prokurorë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK, të cilët kanë kaluar Veting-un me vendim të formës së prerë. Mbështetja e Ambasadës Amerikane dhe misionit të asistencës OPDAT gjatë këtyre proceseve, garant për profesionalizmin dhe integritetin e tyre”, është shprehur Ibrahimi.
Zv. Ndihmës Sekretar i Shtetit në SHBA, Jorgan Andreës, i ndërgjegjshëm për presionin në të cilin po kalon KLP për të ngritur SPAK-un, theksoi mbështetjen e SHBA-së në gjithë këtë proces. Andreës ndërkohë vlerësoi punën e institucioneve të reja të drejtësisë.
“SHBA do të vazhdojë të mbeshtesë zbatimin të reformës në drëjtësi në Shqipëri. Do t’ju ofrojmë asistencën tonë gjatë punës suaj. Jemi të ndërgjegjshëm për presionin me të cilin përballet KLP dhe jemi të vendosur t’iu ofrojmë mbështetjen tonë për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK. Keni ngritur një bazë ligjore të fortë për institucionet e reja të drejtësisë, e aftë të mbajë larg korrupsionin dhe presionin e politikës mbi këto struktura. Duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend, sepse tani do të keni instrumentat e duhura”, është shprehur zyrtari amerikan.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që në mbledhjen e radhës të emërojë tetë kandidatët që kanë kaluar Vettingun, si anëtarët e SPAK, ndërsa dy vendet e tjera pritet të plotësohen me dy prokurorë të tjerë, në mënyrë që të mos krijohen vonesa. Në takim me kreun e KLP ishin të pranishëm edhe Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Julie Craven dhe Michelle Lakomy nga OPDAT.