Ndërkohë që ngelen edhe dy javë nga përfundimi i afatit të vënë në dispozicion për shqiptarët të cilët jetojnë jashtë vendit për t’u regjistruar në platformën PER për votën e diasporës, KQZ ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket aplikimeve dhe specifikave të tjera.
Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëhet me dije se deri në këto momente janë 253,070 persona të cilët kanë aplikuar ndërsa kanë marrë dritën jeshile 249,214 prej aplikimeve.
86,414 janë kërkesat e refuzuara ndërsa 3,804 janë ende në proces shqyrtimi. Që nga nisja e procesit, kryesonin kërkesat të bëra nga gjinia mashkullore, trend i cili vijon ende, me 148,728 ose 58.8% dhe kërkesat nga femrat me 104,342 ose 41.2%
Shtete me aplikimet më të larta mbeten Italia me 98,550 ose 38.9%, Greqia me 71,754 ose 28.4% dhe Gjermania me 27,225 ose 10.8%.
Sa i përket grupmoshave më shumë të interesuara për të aplikuar, kryesojnë grupmosha 26-35 vjeç me 67,904 ose 26.8% e ndjekur nga grupmosha 36-45 vjeç me 66,415 ose 26.4%. Grup mosha më pak e interesuar duket se është ajo 18-25 vjeç, me vetëm 27,175 aplikime, ose 10.8%.
