Kreu i PD Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar përfaqësuesit e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të refuzojnë propozimin e Partisë Demokratike për të zgjatur afatin e regjistrimit të diasporës deri më 9 mars.
Berisha e ka cilësuar këtë veprim si një “shkelje madhore të Kushtetutës” dhe një tentativë për të përjashtuar nga e drejta e votës mbi 500 mijë shqiptarë jashtë vendit, me disa shifra që flasin për mbi 800 mijë të tillë.
Ai thekson se ky veprim është i motivuar nga frika e qeverisë për ndikimin e mundshëm të votës së diasporës në zgjedhje.
“Edi Rama personalisht në vitin e diasporës urdhëroi përfaqësuesit e tij në KQZ të refuzojnë propozimin e përfaqësuesve të PD për zgjatjen të paktën deri në datën 9 regjistrimet e diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
Refuzimi kategorik i Ramës dhe përfaqësuesi i tij Damian Gjiknuri, dëshmojnë frikën dhe tmerri që i ka kapur ata dhe partinë e krimit nga vota e lirë e shqiptarëve jashtë vendit.
Ky refuzim është shkelje madhore e Kushtetutës dhe përjashtimi nga e drejta e votës e të paktën 500 mijë personave, shifra të tjera flasin dhe për 800 mijë, të cilët i kanë pasur dokumentet e skaduar. Pa përfshirë qindra mijëra të tjerë që nuk disponojnë dokumente të lëshuara në Shqipëri por dokumente të rregullta nga vendet ku jetojnë”, tha Berisha.