Deri në orën 15:00, prokuroria ka raportuar për arrestimin e gjashtë personave në tri raste të ndara, të cilët ndodhen në ndalim për hetime të mëtejshme.
“Rastet nuk mund t’i konsiderojmë as të vogla as të mëdha, por ato mund të ndikojnë në imazhin e procesit zgjedhor. Ajo që mund të themi me siguri është se personat e përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballen me pasojat ligjore,” tha Pula.
Ajo shtoi se Prokuroria e Shtetit po ndjek çdo denoncim për parregullsi dhe është e gatshme të ndërhyjë menjëherë në rast të ndonjë shkeljeje.
“Çdo informacion që publikohet në portale apo raportohet nga qytetarët, ne e trajtojmë me seriozitet dhe veprojmë në koordinim me hetuesinë për të marrë masat e nevojshme,” përfundoi Pula.
Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Procesi zgjedhor nisi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.
Kujtojmë se në garë janë 28 subjekte politike, të cilat garojnë me 1280 kandidatë për 120 karriget në Kuvendin e Kosovës.
Rreth 2 milionë shtetas me të drejtë vote në Kosovë kanë të drejtë të zgjedhin se kush do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme.
104.924 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, ndërkohë që 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.