Reforma zgjedhore duket se e ka përfshirë politikën në polemika ditët e fundit. OSBE-ja e ka kundërshtuar mundësinë e aplikimit të listave të hapura në zgjedhjet e 2017-ës, që ka qenë një propozim i LSI-së.
Po aështu ka hedhur poshtë edhe disa prej propozimeve të opozitës. Nuk pranohen listat e hapura, me një argumentim të caktuar, që nuk ka kohë për thellimin në reformë e të tjera e të tjera.
Lidhur me këtë, kreu i Kuvendit dhe LSI-së, Ilir Meta, shprehet se, LSI ka qenë për lista të hapura që në vitin 2008.
“Nuk dëshiroj të bëj debat në nivel ekspertësh dhe teknikësh me OSBE-në. Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim kemi qenë për listat e hapura që në vitin 2008, dhe mendojmë se një nga fatkeqësitë e sistemit tonë është ky sistem zgjedhor, që praktikisht kufizon mundësinë e zgjedhjeve, u jep shqiptarëve më shumë mundësi të votojnë se sa të zgjedhin, pasi kryesisht zgjedhjet i imponojnë partitë dhe drejtuesit e tyre, ndërsa për qytetarët ka shumë pak vend. Aq më tepër një vend që nuk ka traditë primaret brenda partisë, natyrisht që kjo e bën edhe më shqetësuese mundësinë, aftësinë dhe vullnetin e qytetarëve për të bërë zgjedhjet që ata duan, midis partive apo edhe brenda një partie. Megjithatë, ne e kemi pranuar OSBE/ODIHR-in si arbitër për zgjedhjet, dhe është e qartë se reforma zgjedhore duhej të kishte përfunduar prej kohësh. Kemi kaluar të gjitha limitet. Pingpongu këtu nuk është shumë i rëndësishëm”, tha Meta në “Studio e Hapur”.
Sa i përket numërimit dhe votimit elektronik, Meta shprehet pro, ndërsa nuk nguron të bëjë edhe shaka.
“Kohë ka gjithmonë, nëse ka vullnet. Unë nuk po flas për aspektin teknik apo teknologjik, sepse kjo është çështje ekspertësh. Këtu flitet për votimin elektronik. Është një gjë shumë pozitive. Është një gjë shumë pozitive, pa asnjë diskutim. Mirëpo, më e bukura është se dje, duke diskutuar për këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve, na ikën dritat në Kuvendin e Shqipërisë. Mendoni sikur të iknin dritat ditën e zgjedhjeve, se çfarë impakti do të kishte kjo. Nuk po e them këtë për të relativizuar kërkesën e opozitës. Kjo është një kërkesë shumë e drejtë, por të mos harrojmë se në 2013-ën u vendos që të bëhej një proces i tillë, pak a shumë, në dy qarqet më të mëdha, në Tiranë e në Fier, për të cilin u bënë edhe investimet e duhura, e kjo ishte e pamundur. Kështu që çdo investim teknologjik është mjaft pozitiv, nëse ekziston kjo mundësi, por dikush duhet ta japë këtë garanci, dikush duhet ta marrë përsipër, sepse vendi nuk mund të shkojë në një kolaps zgjedhor”, shtoi Ilir Meta. (A.R/SHUPLAKA)
Discussion about this post