Partia Demokratike i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një ndërhyrje urgjente për rikthimin e ligjshmërisë në procesin e votimit të diasporës në Greqi. Nëpërmjet një letre drejtuar kryekomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe që mban firmën e përfaqësuesit të opozitës në KQZ, Franc Nuri, shprehet shqetësimi për procesin e votimit të shqiptarëve në Greqi.
PD thotë se në nisje të procesit, autoritetet siguruan se çdo zarf do të dorëzohej në adresën e deklaruar të votuesit, por kjo ka ndryshuar para pak ditësh papritur.
“Para pak ditësh, KQZ ndryshoi papritur qasje. Përmes një njoftimi të thjeshtë të publikuar në rrjetet sociale të KQZ, votuesit shqiptarë në Greqi u njoftuan nga KQZ se duhet të paraqiten personalisht pranë pikave të DHL-së për të tërhequr zarfin e votimit. Ky ndryshim i befasishëm ka sjellë jo vetëm konfuzion mes votuesve, por ka ngritur edhe shqetësime serioze për transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit”, thotë PD.
Sipas PD-së, ndryshimi i mënyrës së shpërndarjes së zarfeve bie ndesh me deklaratat dhe rregullat e mëparshme të KQZ-së.
PD nënvizon më tej se ka raportime se zarfet me vota nuk po u dorëzohen qytetarëve në dorë në banesë, por po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar. Sipas PD, këta persona përdorin makina me qira me targa shqiptare për të shmangur gjurmët.
“Në Greqi prej javësh kemi raportime se zarfet me vota nuk po u dorëzohen qytetarëve në dorë në banesë, por shpesh herë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të ndryshëm që lidhen me organizata partiake ose shtetërore (qoftë zyrtare, qofte nënpagesa si zyra bastesh, apo zyra postare), duke grumbulluar qindra zarfa në emra të ndryshëm dhe shpërndarë më pas në mënyrë të organizuar disa ditë përpara zgjedhjeve për të ndikuar në rezultatin zgjedhor. Këta persona shfaqen me emra të njëjtë si përfaqësues të partive politike dhe në të njëjtën kohë edhe si punonjës të shërbimit postar. Kjo bie ndesh me ligjin shqiptar dhe atë grek për ruajtjen e sekretit të votës”, thekson PD.
PD sqaron se “shteti shqiptar ka firmosur një kontratë me vlerë rreth 9.2 milionë euro me kompaninë postare DHL për të garantuar shpërndarjen e grumbullimit korrekt të zarfeve të Diasporës”.
PD ndalet edhe te fluksi i fletëve të votimit të ardhur 1 javë para ditës së zgjedhjeve.
“Sot më 4 Maj 2025, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve janë raportuar nga KQZ se mbi 6 mijë zarfe të ardhura në Tiranë nga Greqia, ndërkohë që për disa javë më parë numri total ishte 17,700. Si shpjegohet që një e treta e të gjithë zarfave të Greqisë vijnë në një ditë të vetme? Ky fluks i pazakontë dhe i papritur, në kontekstin e problemeve të raportuara përforcon dyshimet mbi integritetin e procesit”, thotë PD-ja.
Sipas selisë blu, ndryshimi i papritur në mënyrën e dorëzimit, nga “zarfi vjen në shtëpi” në “shko e merre vetë”, rrit vështirësitë praktike për mijëra votues, por krijon hapësirë për “ndërhyrje, parregullsi dhe potencialisht manipulime procesi”.
“Shqetësimi ynë është i thellë jo vetëm për integritetin e votës, por edhe për pasoja të rënda që kjo situatë mund të ketë në besimin e publikut te procesi zgjedhor dhe demokracia në tërësi. Nëse kjo situatë nuk korrigjohet menjëherë, procesi i votimit të diasporës rrezikon të mbetet një eksperiment i dështuar, i shtrenjtë dhe me pasoja serioze për vendin”, tha PD.
Deri sot sipas shifrave të bëra publike nga KQZ kanë mbërritur 23 640 zarfe me fletë votimi nga Greqia, ndërsa në total janë dërguar 68 380.