Numri i regjistrimeve të votuesve nga jashtë, i cili për herë të parë u jep mundësinë shtetasve shqiptarë kudo që jetojnë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen në 11 maj, e ka kaluar shifrën 20 mijë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kërkesat për regjistrim janë 20 034 deri në orën (13:30), ndërsa janë miratuar 4 334 kërkesa. Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkuj me 13 448 (67.1%) kërkesa, ndërsa femrat janë 6586 (32.9%).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 6152 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 5542 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 3,664 dhe mbi 56 vjeç janë 2,637 kërkesa për regjistrim.
Më të rinjtë, grupmosha 18-25 vjeç kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 2039 të tilla.
Sipas të dhënave janë refuzuar 1948 kërkesa.
Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 6112, e ndjekur nga Greqia me 4424, Gjermania me 3157 si dhe nga SHBA me 1929.
Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 4614, më pas bashkia e Fierit me 3,417, Korça me 2,202 e ndjekur nga Durrës me 1,704.