Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, e cila mbrëmjen e sotme është e ftuar në “ABC News”, ka komentuar largimin nga kjo forcë politike të dy ish-këshilltarëve bashkiakë, Genta Mezini dhe Agim Kraja, të cilët votuan pro rritjes së çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
“Për çdo njeri që ikën nga LSI, do të thotë që kanë qenë në LSI për përfitimet e tyre, nuk kanë përkrahur ato që përfaqëson LSI, kështu që për mua largimi i tyre do jetë një lloj katarsisi, pastrim i LSI-së.
Sa më shpejt të largohet ky kontigjent aq më shumë do rritet LSI, sepse ata mund të kenë uzurpuar diçka më shumë. E shoh si pozitive, do jetë çlirim energjish për LSI-në.
E shikoj për një lloj hapësire për më shumë të rinj, për ventet që janë zënë nga njerëz që më shumë kanë marrë nga LSI se sa i kanë dhënë asaj.”, është shprehur Kryemadhi.
Kujtojmë se në mbledhjen e 26 korrikut të Këshillit Bashkiak u miratua rritja e çmimit të ujit të pijshëm me 25 votat e këshilltarëve të PS-së, 3 të PDIU-së, 2 të LSI-së dhe 1 të FRD-së.
Pas mbledhjes së këshillit bashkiak, LSI u distancua nga veprimi i Mezinit dhe Krajës, duke i shkarkuar nga Këshilli Bashkiak, mirëpo pas kësaj ata vendosën të largoheshin me LSI-në dhe të bashkoheshin me PD-në. (D.D/Shuplaka)