Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Lushnje, ku një 30-vjeçar mbeti i vrarë, dhe u plagosën babai dhe dy vëllezërit e tij, pas sherrit per pronat. Policia ka shpallur në kërkim një person të tretë për ngjarjen e rëndë, i cili është djali i një prej emrave të përfshirë më herët, Kastriot Hasallës.
20-vjeçari Marjus Hasalla, dyshohet se është përfshirë në konflikt me kushërinjtë e parë të të atit të tij, dhe tashmë po kërkohet nga policia për të dhënë sqarime mbi rolin që ka pasur, apo nëse është ai autori i vrasjes.
Policia ka sekuestruar sakaq armën e krimit, e cila është një armë gjahu, dhe vijon kërkimet për arrestimin e tre të dyshuarve.
Më herët policia shpalli në kërkim vëllezërit Afrim dhe Kastriot Hasalla, të cilët u përfshinë në konflikt për çështje pronash me familjen e xhaxhait të tyre.
Nga ngjarja e rëndë mbeti i vdekur 30-vjeçari Romeo Hasalla, si dhe të plagosur babai i tij Shaip Hasalla, dhe vëllezërit Emiljano dhe Laert Hasalla.
Në një rrëfim mes dhimjes, nëna e viktimës dhe e të plagosurve tha se konflikti kishte ndodhur për një sipërfaqe toke të mjellë me ullinj nga burri dhe djemtë e saj, të cilën kushërinjtë kishin shkuar mëngjesin e sotëm për ta shkulur me zetor. (Lexo edhe këtu lajmin)
Njoftimi shtesë i policisë për ngjarjen:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Garunjas, si rezultat i veprimeve të para hetimore është shpallur në kërkim edhe shtetasi M. H., 20 vjeç, djali i shtetasit K. H.
Njëkohësisht, gjatë kontrollit të ushtruar është gjetur dhe sekuestruar 1 armë gjahu që dyshohet se mund të jetë arma me të cilën autori ka kryer krimin.
(E.K/Faxweb.al)