Thotë se 2019-ta është periudha më e kobshme e jetës së saj, mallkimin e të cilit do ta marrë me vete edhe në varr. Kështu po e vajton humbjen e të bijës, gruaja e rreth të 60-ve, nga fshati Besi, i komunës së Prishtinës. 22-vjeçarja, Blerta Osmani, në mbrëmjen e 1 tetorit të këtij viti u gjet e vdekur në oborrin e shtëpisë së saj, me një plumb në kokë.
Por, humbja e vajzës nuk është e vetmja tragjedi me të cilën u ballafaqua kjo grua këtëvit që po lëmë pas. Si të dyshuar për vdekjen e vajzës, iu arrestuan burri dhe djali 29-vjeçar. Sipas Prokurorisë, të dy këta po dyshohet se kanë kryer disa vepra penale si: vdekje e dyshuar, shtytje në vetëvrasje, manipulim me prova, armëmbajtje pa leje, e lajmërim apo kallëzim i rremë.
“Vajzën na e vrau ish i dashuri i saj, 24-vjeçari nga Podujeva”
Në familje japin tjetër version nga ai i prokurorisë. Nëna e së ndjerës shpjegon se vajza e saj gjatë stinës së verës kishte nisur një lidhje dashurie me një djalë po ashtu nga rajoni i Podujevës (identitetin e së cilit ajo e ka bërë të ditur). Për këtë lidhje nëna e 22-vjeçares thotë se kishte qenë në dijeni vetëm ajo dhe vajza tjetër e saj.
“Burrat e familjes, nuk kanë ditur gjë për këtë lidhje”, thotë ajo, duke treguar se pas disa muajve i dashuri i vajzës së saj 24-vjeçari, kishte filluar që të shfaqte shenja xhelozie ndaj vajzës së saj.
Nëna e 22-vjeçarës së vdekur, akuzon pikërisht të dashurin e vajzës se ia e ka vrarë atë. Ajo nuk beson se vajza e saj ka kryer vetëvrasje.
“S’e ka shty askush drejt vetëvrasje vajzën time. E as kurrë në jetë nuk besojë që ka bërë. Atë e ka mbytë një djalë me të cilin kishte disa muaj që kishte dal. E ka marrë ai disa kohë më përpara, kanë shkuar në hotel. Tani kjo s’ka dashtë, edhe ai ka ardhur edhe ma ka vra çikën”, rrëfen nëna e së ndjerës.
Ajo shpjegon se vajza i kishte treguar asaj për lidhjen që e kishte pasur me 24-vjeçarin nga Podujeva.
“Çika e ka dashtë shumë djalin. Po ai ka qenë xheloz. I kemi th 137në lëre, po s’na ka dëgjuar. Ai ka ardhur këtu në oborr tek ne edhe e ka kap. Edhe duhet me u nxjerr para drejtësisë”, thotë nëna e Blerta Osmanit.

Prokuroria: 24 vjecarin që po e përmend familja e kemi intervistuar si të dyshuar
Nga prokuroria e shtetit dyshimet e para i kanë se e ndjera, Blera Osmani, 22-vjeçare, ka kryer vetëvrasje. Sipas ligjvënësve vendor, babai dhe vëllai i së ndjerës po dyshohet se e kanë shtyrë 22-vjeçaren që ta kryejë këtë akt.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka thënë se personin të cilin po e përmend familja si të dyshuar për vrasjen e vajzës e kanë intervistuar nga ana e prokurorisë. Ai, sipas Hamitit, është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit për këtë rast e jo të dyshuarit.
“Personin në fjalë e kemi intervistuar rreth këtij rasti. Ai vet është paraqitur në prokurori. Atë e intervistuam në cilësinë e dëshmitarit jo personit të dyshuar për këtë rast”, ka sqaruar Hamiti.
Më tej ai ka thënë se hetimet për këtë rast po i vazhdon prokuroria. Ndërkohë që po i presin edhe disa ekzaminime shtesë të cilat i kanë kërkuar.
Mirëpo, në paraburgim sipas prokurorit Hamiti, vazhdojnë të qëndrojnë babai dhe vëllai i të ndjerës. Ata sipas prokurorisë babai dhe vëllai i të ndjerës kanë kryer disa vepra penale – vdekje e dyshuar, shtytje në vetëvrasje, manipulim me prova, armëmbajtje pa leje, lajmërim apo kallëzim i rremë.

Por, me këto dyshime të prokurorisë nuk po pajtohet familja e të ndjerës. Nga familja Osmani po deklarojnë se babi e vëllai i së ndjerës tashmë të arrestuar, nuk kanë pasur të bëjnë asgjë me rastin.
Ata thonë se është e vërtetë se familjarët kanë deklaruar se vajzën mund t’ua ketë mbytur një plumb qorr. Kjo për arsyen se ata sipas nënës, nuk e kishin ditur se vajza e tyre kishte qenë në lidhje.
“Burrat s’i kemi pas në shtëpi ditën kur ka ndodhur rasti. Ata nuk e kanë ditë që vajza ka qenë në lidhje me të. Kanë dhënë deklaratë duke mënduar se ka qenë plumbi qorr ai i cili ia ka marrë jetën vajzës”, kanë deklaruar për Express nga familja e s=të ndjerës.
Ata deklarojnë se për dyshimet e tyre se vajzën ua ka vrarë personi me të cilin ajo kishte qenë në lidhje, i kanë shpjeguar edhe policisë së Kosovës. Mirëpo, sipas tyre këta të fundit nuk kishin ndërmarrë asgjë për ta zbardhur këtë rast.
“Ne i kemi tregu policisë për dyshimet që i kemi. Nuk na kanë dëgjuar”, shpjegohen nga familja
Kujtojmë se me 1 tetor të këtij viti, pas orës 19:00, në oborrin e shtëpisë së saj, ishte gjetur e shtrirë në tokë 22-vjeçarja Blerta Osmani. Në pjesën e kokës ka pasur një plumb, vrima e të cilit nuk ka qenë dalëse. Ajo kishte ndërruar jetë atë natë, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
E vajza e dytë e familjes Osmani nga Besia e Prishtinës, sipas familjes nuk kishte pasur probleme me askënd. Përshkruhet si vajzë e qetë, dhe si një financiere e ardhme, pasi kishte qenë duke studiuar në një kolegj privat në Prishtinë për financa./GazetaExpress/
Discussion about this post