Sokol Isufaj është një prej tre viktimave të masakrës të disa viteve më parë në Plazhin e Vlorës.
Pas arrestimit të Delin Hajdaraj, i shpallur në kërkim dhe që endej i lirë prej katër vitesh, ka reaguar babai i Sokol Isufaj, Asqeri Isufaj.
Ai shprehet se tashmë ndihet i lehtësuar që vrasësi i të birit nuk endet më i lirë dhe kapja e tij ishte një gjë që e kishte pritur prej kohësh, që drejtësia të funksiononte. Në intervistën për një portal online, ai shpreh keqardhjen për vendimin e gjykatës.
“Sot le të themi se ndihem pak më i lehtësuar. Të paktën autori nuk është i lirë se mua djali s’më kthehet më… Por mënyra se si e qysh u vra, nuk gjej dot fjalë që ta them. Unë si baba i Sokolit, që mbeti viktimë në atë tragjedi, kam një keqardhje për dënimin e atij personit tjetër që e kërkoi vrasësin për ndihmë. Edhe ai duhej të dënohej me burgim të përjetshëm. Gjykata nuk ka vepruar drejt. Këtu ka pasur ndërhyrje nga njerëzit e tij”, mësohet të ketë thënë Isufaj.
Më tej, Asqeri Isufaj shprehet se dhimbja për humbjen e të birit nuk ikën asnjëherë pasi i biri iu vra pa asnjë arsye për më tepër, por së fundmi ndihet më i lehtësuar pas kapjes së autorit:
“Si duket, për të mos thënë 100 për qind, e ka ndier veten të rrezikuar atje ku ka qenë dhe përpara Vitit të Ri ka ardhur në Shqipëri, pasi ma merr mendja nuk ka pasur shumë kontrolle edhe për festa. Megjithatë, unë falënderoj policinë që e kapi. Dhimbja, mua dhe familjes sime, nuk na ikën asnjëherë, sepse nuk kishte asnjë arsye të më vritej djali. Sikur të kishte një gabim të vogël djali im, unë nuk do të isha kaq i helmuar, por nuk kishte asnjë gabim, ai kishte shkuar të bënte plazh. Sot ma kanë hequr pak dhimbjen e djalit të ikur.” (XH.A/SHUPLAKA)