Kanë dalë detaje të reja lidhur me vrasjen e 29-vjeçarit mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës.
‘’Fax News” mëson se vëllai i Vasil Dervishajt, është akuzuar për vrasjen e ‘Stelës’, shetetases J. 20-vjeçarja është vrarë në vitin 2005 në Vlorë, pak pasi denoncoi 4 efektivë të policisë dhe më pas u vra. Ajo akuzonte Policinë se fuste në burg persona në mënyrë të padrejtë, në mënyrë që të përfitonin rryshfete për lirimin e mëpasshëm të tyre.
”Stela’ nënë e një foshnje disa muajshe, u qëllua me thikë në zemër dhe më pas është hedhur në det. Vajza e re, pak pasi bëri denoncimin në emisionin ‘’Fiks Fare”, u deturua për shkak të presioneve të tërhiqej nga ato që kishte thënë në gjykatë.
Derlin Dervishaj u dënua asokohe me 8 vjet e 4 muaj burg, pasi e pranoi autorësinë e vrasjes dhe ka marrë gjykim të shkurtuar.
ARRESTIMI I DERVISHAJT NË 2005-TËN:
“Unë e vrava J. Nuk kisha rrugë tjetër, pas presioneve që ajo më bënte”. Plot 48 orë pas vrasjes së bujshme, Derlin Dervishaj ka pranuar autorësinë e krimit, vetëm pasi punonjësit e shumtë të policisë dhe prokurorisë kanë dalë nga zyra e kreut të akuzës së Vlorës, Petrit Çano. 20-vjeçari Dervishaj, ish-i dashuri i J i është dorëzuar presionit në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ku ka rrëfyer me detaje vrasjen e vajzës së njohur me pseudonimin “Stela” si dhe vendin ku kishte fshehur thikën. Prokurori i Vlorës, Petrit Çano, pohonte momentin kur autori i dyshuar i krimit u shkreh në vaj, duke pranuar autorësinë e vrasjes makabre. “Pas 48 orësh pyetje e selektime të personave të dyshuar, unë ngulmova tek ish- i dashuri i viktimës. Ndaj tij kishte mjaft detaje që mua më ngacmuan dhe më intriguan, edhe pse ishte shumë i vështirë si tip, e zor se mund t’i vilje diçka nga ato që bluante në kokë”,-thotë Çano.
Zbulimi i autorit
“Ishte ora 2.00 pas mesnate dhe djaloshi, i ulur në karrige më dëgjonte me vëmendje. Pasi i rendita disa fakte bindëse, i thashë që ai ishte vrasësi, e që ishte më mirë për të të bashkëpunonte”,-shton kreu i prokurorisë së Vlorës. Në mënyrë të papritur, Derlin Dervishaj i është drejtuar Çanos: “dua të flas vetëm për vetëm me ty prokuror”. Çano shton se mënjeherë boshatisi zyrën e tij, ku ndodheshin shumë drejtues policie e prokurorie, duke besuar se pak minuta më vonë do të zbardhte ngjarjen që tronditi Vlorës. “Po shef, unë e vrava. Por nuk kisha ç’farë të bëja, s’kisha rrugë tjetër. Unë nuk doja ta vrisja, por ajo më bënte presion”,-i ka thënë Dervishaj prokurorit, me lotët që i rridhnin nga sytë. Kreu i prokurorisë së Vlorës pohon se ka hetuar mjaft çështje, por një rast si ky nuk i ka rastisur ndonjëherë, ku i akuzuari për një krim të rëndë rrëfen gjithçka, duke u shkrehur në vaj.
Historia e dashurisë
“Kam pasur lidhje intime me J. Me të jam njohur vetëm në muajin nëntor dhe lidhja jonë zgjati 6 muaj. Historia jonë ka qenë normale, e jemi ndarë si njerëz, por që nga ai moment filloi stresi im”,-ka shtuar më pas, Derlin Dervishaj. Pas ndarjes nga J, 20-vjeçari ka njohur një vajzë tjetër, me të cilën është lidhur për qëllime serioze. “J nuk më linte rehat. Më shkruante shpesh mesazhe e më bënte telefonata, duke më kërcënuar. Unë akuzohesha nga ajo se isha babai i të birit, Helionit, i cili ishte rreth 1 vjeç. Unë insistoja në të kundërtën, pasi nuk kishte asnjë mundësi që të ishte e vërtetë, por ajo më kërkonte para për fëmijën”,-mësohet të ketë thënë Derlini. Kjo gjendje ka zgjatur jo pak por muaj të tërë, derisa ditët e fundit, J ka shfrytëzuar një letër që ish-i dashuri i kishte shkruar. “Hiqmu qafe se do të zhduk ty, bashkë me fëmijën”,- i shkruaja unë e këtë letër ajo ma vinte përpara, duke më thënë se do të më denonconte”,-ka shtuar 20-vjeçari, duke pohuar se një tjetër arsye ishin edhe ofendimet me fjalët më banale.
Dita e krimit
Mbrëmjen e së dielës, Derlin Dervishaj ka pohuar se ka qenë së bashku me të dashurën e re, në oborrin e shtëpisë së kësaj të fundit. “Rreth orës 2 të natës më erdhi një mesazh nga J, ku më shante mua dhe të dashurën time. Nuk e ruajtja më qetësinë. I thashë të dashurës se do ta rregulloja njëherë e mirë këtë punë dhe u nisa në drejtim të kabinës, megjithëse ajo u mundua të më ndalonte”,-i ka rrëfyer Çanos, Derlin Dervishaj.
Tek kabina e plazhit të vjetër kishte takuar J, ku i kishte kërkuar që ta linte rehat. “Në rrugicën ku edhe e vrava, i thashë të më linte rehat, por ajo më tundte letrën, duke më thënë se do të më denonconte. Nuk e përmbajtja dot veten. Nxorra thikën që e mbaja gjithnjë me vete dhe e godita disa herë. Nuk mbaj mend se sa”,-ka rrëfyer i akuzuari. Më pas, ai ka shtuar se ka ecur në rërë përgjatë bregdetit, ka ngulur thikën fort në rënë, derisa nuk dukej më. “Ika në shtëpi, ku u lava dhe u mundova të qetësohesha, por në mëngjes erdhi e më kërkoi një polic. Menjëherë e kuptova se gjithçka do të zbulohej”,-ka përfunduar i akuzuari për vrasjen e J.
(E.K/FAXWEB.AL)