Ditën e djeshme Policia e Shtetit bëri me dije se se Ruben Saraiva, ekzekutori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, u kap si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese teksa po punohet për ekstardimin e tij në vendin tonë.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, mësohet se ka udhëtuar nga Greqia drejt Marokut ku edhe u arrestua, një vend me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Por nga ana tjetër, burime bëjnë me dije se Interpol Maroku ka dërguar një mesazh të hënën ndaj homologëve shqiptarë me përmbajtje: “Lidhur me shtetasin Ruben Saraiva, i cili kërkohet nga ju për vrasje, a është kërkimi i vlefshëm? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion praktikën. Ai është arrestuar nga ne dhe po mbahet në paraburgim”.
Por sa i përket marrëveshjes së ekstradimeve që mungon me këtë shtet, autoritetet përkatëse në të kaluarën kanë përdorur në disa raste parimin e reciprocitetit të ndërsjellë.
Kjo do të thotë, se ekziston varianti që Saraiva të shkëmbehet me ndonjë person të shpallur në kërkim nga autoritetet marokene dhe që mund të jetë ndaluar në Shqipëri.
Ndërsa prokuroria e Lezhës është duke përgatitur dosjen për tja përcjellë asaj Ministrisë së drejtësisë, ku kjo e fundit pasi ta përkthejë do ja delegojë atë Marokut, për tu njohur me akuzat
Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Më herët në pranga kanë rënë 4 persona, mes tyre edhe porositësi Edmond Haxhia dhe 3 shtetas britanikë.
Ndërkohë, vijon puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.
Njoftimi i policise:
Policia e Shtetit
Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj.
Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez R. R. S., 28 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë.
Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.