Policia ende nuk ka identifikuar autorin që vrau ish-kryekomisarin Artan Cuku. Deri tani janë publikuar 2 herë pamje të autorit të vrasjes dhe ka vënë shpërblim 10 milionë lekë të reja për atë që identifikon vrasësin e Cukut.
Pas publikimit të pamjes së autorit që dyshohet më së shumti, në drejtim të policisë kanë mbërritur dhjetëra telefonata, por ato nuk kanë shërbyer për hetimin. Policia i ka shpërndarë këto pamje edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit duke kërkuar ndihmën e të dënuarve me dyshimin se autori mund të jetë një ish i dënuar, shkruan BW.
Së fundmi është ngritur dyshimi se autori mund të mos jetë shtetas shqiptar. Pas kqyrjes së vendit të ngjarjes në hollin e pallatit, policia ka gjetur disa gjurmë gishtash të cilat po studiohen nëse i përkasin autorit që dyshohet. Grupi hetimor shprehet se në vrasjen e Artan Cukut kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë, nisur nga fakti se ai e ka studiuar mirë gjithë zonën, duke hyrë në anën e përparme të pallatit ku banonte viktima.
Autori e ka mbajtur kokën ulur që fytyra të mos i kapet nga asnjë prej kamerave të sigurisë në zonë.
Policia po vijon hetimet për rastin duke u fokusuar në 3 pista, ajo për shkak të gjakmarrjes, për shkak të detyrës dhe pista për shkak të konflikteve në fushën e policive private, ku Cuku administronte një shoqëri private. (M.D/ Shuplaka)