Vrasja e Ardian Nikulajt, detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e biznesmenit të mërkurën e datës 19.
Banakieri i lokalit dhe roja, personat e pranishëm në momentin e krimit kanë treguar dinamikën e ngjarjes dhe japin përshkrimin e tyre për autorin.
Banakieri i lokalit “Coral”, tregon që autori ka qenë rreth190 cm i gjatë, i shëndetshëm dhe me një veshje të trashë, ku sipër rrobave mbante një jelek jeshil dhe në çantën me rrip të lidhur në trup mbante dorën. Banakieri tregon se i ka pyetur “si kalut”, por nuk ia ka fiksuar fytyrën, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sakaq, një detaj është dialekti i autorit, i cili sipas banakierit nuk dukej nga jugu, por nga Shqipëria e Mesme ose Veriu.
Roja i lokalit, tregon se autori ka ardhur pas tij dhe i ka thënë të largohet. Sipas tij, ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulajt, ka patur zë të trashë, por theksin nuk mund t’ia mbante mend.
Banakieri: Rreth orës 13 e 27 minuta unë kam qenë në banak, dhe i ulur në tavolinën përballë ka qenë pronari Ardiani, i vetëm. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup.
Pasi është afruar afër banakut na ka përshëndetur duke na thënë “si e kalut” dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë. Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt.
Gjithashtu nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga Veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk m’u duk dialekt jugor.
Roja: Isha brenda lokalit dhe po përshëndeta pronarin Ardianin i cili sapo kishte ardhur dhe u ul në tavolinë. Në ato momente erdhi nga mbrapa nga ana e djathtë e imja, një burrë i gjatë.
Ai më tha veç “largohu” dhe hyri brenda në lokal dhe shkoi në drejtim të Ardianit dhe qëlloi ndaj tij. Autori ishte i gjatë, trup i mbushur, kishte një zë të trashë, por theksin nuk e mbaj mend.