Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca gjatë një takimi në qytetin e Fierit ka folur për ngjarjen e fundit që ndodhi në Bularat, ku një ekstremist grek u vra nga forcat RENEA pas një shkëmibimi me armë zjarri.
Soreca u shpreh se duhet të mbrohen minoritetet dhe pakicat në çdo pjesë të vendit. Gjithashtu ai foli dhe për emërimin e ministrit të ri të Brendshëm Sandër Lleshi duke zëvendësuar Fatmir Xhafajn.
“Shqipëria dhe Greqia të gjejnë një marrëveshje për zgjidhjen e çështjeve dhe për rrugëtimin drejt BE-së. Të mbrohen minoritetet dhe pakicat në çdo pjesë të vendit. Ministria e Brendshme ka ndërmarrë operacione të rëndësishme. Vlerësimi ynë për ministrin e ri është i qartë. Ministri i ardhshëm të vijojë luftën kundër krimit”– tha ambasadori i BE.
Kujtojmë se para dy ditësh shtetasi grek Kostandions Katsifa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Bularat Gjirokastër hapi zjarr mbi makinën e policisë, për shkak se pretendonte se ishte hequr flamuri që kishte vendosur në qendër të fshatit. Pas rezistencës së vazhdueshme nga ana e tij, RENEA e ekzekutoi 35-vjeçarin, i cili njihej për thirrjet e tij të urrejtjes ndaj shqiptarëve.
‘’Shtetasi Katsifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje, të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa.
Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamoflazh”, sqaronte dje policia shqiptare.
(M.Q/Faxweb)