Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Tiranë ku gjyqtarja Fildes Hafizi u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti, ka reaguar kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Kryemadhi deklaron se ky është akti më i rëndë dhe katastrofik që mund t’i ndodhë një vendi që aspiron për në BE.
“Me revoltën e një nëne, me forcën e një gruaje që ka përballuar shumë vështirësi në jetë dhe me kurajon e përfaqësimit të një force politike si LSI, sot ngre zërin tim fuqishëm kundër këtij sistemi që ende dhunon gratë e pafajshme”, shkruan Kryemadhi.
REAGIMI:
Vrasja e paralajmëruar e një nëne, gruaje për më tepër gjyqtare është akti më i rëndë dhe katastrofik që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë anëtar i BE.
Me revoltën e një nëne, me forcën e një gruaje që ka përballuar shumë vështirësi në jetë dhe me kurajon e përfaqësimit të një force politike si LSI, sot ngre zërin tim fuqishëm kundër këtij sistemi që ende dhunon gratë e pafajshme.
Të gjithë ne mbajmë përgjegjësitë tona për këtë situatë të rëndë, por më shumë duhet të ndihen përgjegjës ata që e lanë nënën e dy fëmijëve në dorën e një vrasësi që disa herë e kishte paralajmëruar aktin e tij të burracakërisë.
Policia, gjykata, shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me forcë dhe efikasitet. Qarravitjet në rrjetet sociale apo emisione televizive nuk mund ta zgjidhin kurrë këtë situatë të rënduar të krimit në familje. Duhet që çdo gjë të nisë nga vetë ne.