Është zbardhur dëshmia e shtetasit grek, i dyshuar si ekzekutori i 41-vjeçarit, Devi Kasmi, në ngjarjen e 29 janarit .
Shtetasi grek, Ethymio Ethymio, në dëshminë e tij në polici, ka mohuar njohjen me Devi Kasmin. Mësohet se greku ka pranuar njohjen me një nga personat e arrestuar, por nuk ka sqaruar lidhjet e tij me Kasmin.
Ethymio, nuk ka dhënë sqarime për sherrin e pak ditëve më parë në palestrën e Kasmit.
Fax News raporton se sipas burimeve, shtetasi grek ka hyrë në Shqipëri rreth dy muaj më parë dhe më pas ka marrë një shtëpi me qera në zonën e “Unazës së Re”.
Greku ka shprehur habinë e tij për arrestimin duke thënë se është i shokuar për dyshimet e policisë.
“Në Shqipëri kam ardhur për qejf s’kam kryer krim. Jam i shokuar nga arrestimi. Unë nuk kam lidhje fare me vrasjen e Devi Kasmit.”-mësohet të jetë shprehur Ethymio në Polici.
Shtetasi grek, u arrestua ditën e djeshme në kuadër të operacionit “Enigma”, të policisë shqiptare, si ekzekutori i 41-vjeçarit Kasmi. Ethymio Ethymio, sipas policisë shqiptare ka qenë i lidhur me grupin e të arrestuarëve të cilët udhëhiqeshin nga Aurel Hoxhallari, i dyshuar si porositësi i vrasjes së Kasmit.
Hoxhallari është shpallur në kërkim nga policia shqiptare, pasi në banesën e tij u gjet një arsenal armësh dhe një sasi e konsiderueshme droge.
(F.G/Faxweb)