Gjykata e Kurbinit ka dhënë masën e arrestit me burg për tre të dyshuarit për vrasjen e Kelvin dhe Jani Jushi, që ndodhi mbrëmjen e 30 Prillit në qendër të qytetit të Laçit. (Lexo ketu)
Markel, Vincent dhe Manuel Bushi janë lënë në burg pa afat, deri në përfundimin e hetimeve dhe nxjerrjen e rolit që ka pasur në ngjarje secili prej tyre.
Mësohet se në seancën e sotme dy prej autorëve janë shfaqur të penduar, ndërsa i vetmi që nuk ka folur është Manuel Bushi.
Markel Bushi ka thënë se është penduar. “Jam penduar për atë çfarë kam bërë, unë nuk kam dashur që t’i vras”- ka thënë ai dhe ka shpërthyer në lot në gjyq.
Ndërkohë që Vincens Bushi ka treguar se dy kushërinjtë në sherr e sipër e kanë goditur me sende te forta. “Më goditën me sende të forta, ndaj dhe ka agravuar situata deri në përdorimin e armëve”- mësohet të ketë thënë ai.
Pas prangosjes, të arrestuarit kanë thënë se e gjithë ngjarja ndodhi në gjaknxehtësi e sipër, por nuk donin të vrisnin kushërinjtë Jushi. Një debat i nisur për publikimin e fotove në rrjetet sociale dyshohet se është bërë shkak për nisjen e sherrit që përfundoi me dy viktima.
Tre autorët e dyshuar të ngjarjes ishin të njohur me njëri-tjetrin dhe mes tyre ka nisur fillimisht me shaka një debat për foton që ish-futbollisti, Kelvin Jushi, publikonte në profilin e tij në rrjetet sociale. Fjalë pas fjale, debati mes dy grupeve është acaruar, duke bërë që të dalin jashtë për t’u sqaruar.
Por, situata është përshkallëzuar më tej, duke bërë që palët të përleshen fizikisht. Më tej, një prej vëllezërve Bushi ka nxjerrë një armë tip pistoletë. Dy të rinjtë, Kelvin dhe Erion Jushi, pasi kanë parë armën, kanë tentuar që të largohen, por janë ndjekur nga pas nga 24-vjeçari, i cili i ka qëlluar në hyrjen e një pallati.
Vetë autori i dyshuar i ngjarjes ka deklaruar në Polici se ka qëlluar në gjaknxehtësi e sipër në drejtim të ish-futbollistit, ndërkohë që 36-vjeçari Jushi, sipas Markel Bushit, ka mbetur i vrarë aksidentalisht. “Debatuam për ‘Facebook’, pastaj u përleshëm dhe situata doli jashtë kontrollit. Nxora pistoletën për t’i trembur, po në gjaknxehtësi e sipër nisa të qëlloja. Nuk kisha për qëllim t’i vrisja”, ka thënë në Polici 24- vjeçari Markel Bushi, që dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes.
Autorët u vetëdorëzuan në Polici dy ditë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa sherri mendohet se ka nisur pas një ngacmimi në rrjetet sociale. (Lexo ketu)
Seanca e sotme në Gjykatë është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, për shkak se policia i druhet ndonjë hakmarrje të mundshme nga ana e familjes Jushi.
(E.K/FAXWEB.AL)