Ka dështuar seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe tre të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023. Gjykatësja tha se seanca shtyhet për datën 31 janar.
Në seancën fillestare, e cila ka nisur sot, u sollën tre persona të akuzuar për këtë rast, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli. Shqyrtimi fillestar për këtë rast nisi me gjykatësen që pyeti të akuzuarit për informacionet e përgjithshme, sikurse datëlindja e tyre, statusi martesor, niveli i arsimit, gjendja ekonomike e të ngjashme, shkruan Paparaci.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj. Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk është përmendur nga prokurorët kur ata njoftuan për ngritjen e aktakuzës.