Është mbajtur në Gjykatën e apelit në Durrës seanca për 11 të arrestuarit pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në qytetin e Elbasanit, e ndodhur 4 ditë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit. Në seancë ishin të pranishëm të gjithë të dyshuarit, përveç efektivit të RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili ka zgjedhur që të përfaqësohet vetëm nga avokati i tij.
Paplekaj është i vetmi person që ka mbetur në burg, pasi Gjykata e Elbasanit vendosi lirimin e personave të tjerë, të quajtur ndryshe dhe SMV (Struktura për Mbrojtjen e Votës, e ngritur nga partia demokratike gjatë fushatës).
Në seancën e sotme prokurori kërkoi rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Elbasanit, që e cilësoi arrestimin e shtetasve si të paligjshëm, si dhe mbajtjen e masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” për 9 të arrestuarit e tjerë.
“Qëndrimi në gjendje të lirë nuk dëmton procesin, pasi provat janë të fiksuara,” deklaroi prokurori.
Prokuroria kërkoi që arrestimi i tyre të konsiderohet i ligjshëm dhe të vijojnë hetimet në lidhje me rolin që ka pasur secili ditën e ngjarjes.
Në fundin e seancës, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Elbasanit, pra deklarimin e paligjshëm të arrestimit për 10 personat e tjerë dhe lënien në burg për Paplekajn.
Personat të cilët ishin sot në seancë dhe kanë masën e sigurisë detyrim paraqitjeje:
Arjan Hoxha, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Pavlo Vuksani, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Emiljan Prenga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Juljan Mataj, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erald Guga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erjon Demushi, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Taulant Ymeri, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Roland Xhepa, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Nuredin Kasma, akuzuar për heqje të lirisë me dhune
Eldjo Beko, arrestuar “në flagrancë”, akuzuar për pengim të hetimeve.
(E.K/Faxweb.al)