Një ditë pas arrestimit të Arsen Stojku dhe Milsim Rama, 29 dhe 23 vjeç, të dy banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, si të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bilali në 30 Mars në Shkodër, Fax News mëson detaje të reja.
Sipas burimeve nga grupi hetimor dy djemtë kanë ndihmuar Ibrahim Licin, të dyshuarin kryesor për atentatin, me modifikimin e makinës.
Dyshimet janë se Stojku dhe Rama janë kushërinj me Licin, dhe se ata kanë qenë në drejtimin e makinës ditën kur ndodhi vrasja dhe kanë ndihmuar në largimin e autorit nga vendngjarja.
Ndërkohë që dy të rinjtë e dyshuar nuk i kanë pranuar akuzat, duke thënë se gjurmat e gishtëve në makinë janë gjetur për shkak se ata janë marrë me lyerjen e mjetit, dhe se janë bojaxhinj në profesion.
Mirëpo prokuroria e Shkodrës këmbëngul se ka përgjime që rëndojnë pozitat e Stojkut dhe Ramës, si dhe afërsinë e tyre me Ibrahim Licin.
Vëllezërit Bilali u vranë në banesën e tyre në Shkodrës, vrasje e cila ishte vazhdim i një serie atentatesh në kryeqendrën e veriut, që kanë për protagonist kryesor dy fiset Bajri dhe Lici. Asmer Bilali dyshohet se është porositur nga Bajrët për të vrarë Fatbardh Licin në muajin Gusht të 2018-tës.
(E.K/FAXWEB.AL)