Policia greke vijon me hetimet për vrasjen makabre të 20-vjeçares Caroline Crouch në Greqi nga i shoqi, ndërsa gjithçka ndodhi në sy të foshnjës së vogël 11 muajshe. Edhe pse piloti, Babis Anagnostopoulos, pranoi krimin pas alibisë që ngriti, hetimet vazhdojnë. Zëri që bënte kërcënimet në telefon ndaj psikologes Eleni Mylonopoulou, ku shkonte viktima, nuk ishte i Babis. Sipas gazetës Spirto, Mylonopoulou, në dëshminë e saj rreth një muaj më parë tha se ishte marrë në telefon nga një person rreth datave 21-25 maj, kur filloi të bëhej publike se ajo kishte zhvilluar seanca me çiftin. Përveç kërcënimeve me telefon, ajo pretendoi se kishte pasur edhe sulme ndaj makinës së saj.
Sipas Parapolitika.gr, psikologia tregoi në polici të gjitha seancat që kishte patur me viktimën nga tetori 2020 deri në shkurt 2021. Ajo shtoi se Caroline ndihej e “bllokuar” dhe e shtypur nga i shoqi. Caroline i kishte thënë asaj: “Unë jam e dashuruar me personin dhe përrallën që kisha ngritur në mendjen time, por e urrej burrin tim”. Një pikë tjetër e rëndësishme është se duke hequr sekretin telefonik dhe duke analizuar më tej të dhënat e telefonit celular do të ketë një pamje më të qartë të bisedave që piloti kishte para dhe pas krimit. Gjithashtu, elementë të rëndësishëm pritet të dalin nga heqja e sekretit bankar. Ndërkohë që Babis Anagnostopoulos është në burg, askush nuk i ka shkuar për vizitë, as nëna, as vëllai, as babai. Avokati i tij është personi i vetëm që viziton Babis Anagnostopulos në burg nga dita e parë e ekstradimit të tij e deri sot.
(B.V/Faxweb.al)